KAVAJE – Qytetarë të Kavajës u mblodhën sot në sheshin kryesor të qytetit, për të protestuar kundër asaj që e cilësuan si “oligarki të krimit dhe korrupsionit, kundër varfërisë dhe mungesës së shpresës”.

Protesta u zhvillua në ditën e 26 vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste që ndodhi në Kavajë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës por mbarë Shqipërisë, duke vlerësuar lart qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës. Sipas Palokës, “26 vjet më pas demokratët dhe shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal që duhet rrëzuar një orë e më parë”.

“Sot jemi mbledhur këtu jo thjeshtë për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndryrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha pashë një slogan: 26 Marsi dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës por është dita e gjithë shqiptarëve sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet, vraste e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, sot na duhet fatkeqësisht edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situate”, tha Paloka.

Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se “sot Kavaja dhe mbarë vendi vuajnë ndërsa qytetarët i kanë sërish sytë nga deti për të ikur nga Shqipëria”. Salianji kërkoi nga qytetaria e Kavajës të ngrihet sërish kundër këtij regjimi që sipas tij, po varfëron shqiptarët dhe po shuan shpresat e tyre për një vend më të mirë.

“Sot Kavaja, si gjithë Shqipëria, nuk zgjedh më me votë të lirë. Kavaja, si gjithë Shqipëria, sheh, edhe njëherë si atëherë, me sytë nga deti. Për të ikur nga sytë këmbët nga ky qytet dhe ky vend. Kavaja, si gjithë Shqipëria, e mat me xhep mirëqënien dhe jo me propagandë qeveritare ku, edhe njëherë si atëherë, jemi kthyer në zili për armiqtë dhe shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Shihni anash jush, apo kujtoni një familjar a të afërm që është i papunë; merr ushqimet apo bukën me listë; nuk e paguan dot shkollën e fëmijëve; nuk ka lekë për ilacet, por edhe kur i ka i merr të skaduara. Pse, a kjo është Rilindja? Etërit, me sa duket, kanë rilindur për të na marrë peng edhe njëherë”, tha Salianji.

Kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër “kësaj diktature të re”.

“Të gjithë e dimë se nga një ndeshje futbolli mori rrugën kapitullimi i regjimit. Paradoksale, qe fundi te vijë nga futbolli. Por në fakt është krejt e kundërta: Nga futbolli nisi një fillim i ri, edhe pse futbollistët, ishin thjesht protagoniste. Mbahet mend si i vetmi rast ku spektatorët ishin bërë “lojtar” e lojtarët spektator. Në stadiumin “Besa” tanimë kishte nisur. Pas minutës së 80′ sic ishte planifikuar, të rinjte kavajas brohorasin “Liri” “Demokraci”, parulla të padëgjuara më parë hapur, ne publik. Parrulla që sfiduan sistemin dhe u dhanë kurajë shqiptareve. Në Kavajë, fatkeqësisht, sot nuk është ditë feste por ditë proteste. Do të protestojmë edhe për 26 Marsin, për harresën që po i bëjnë. Por thonë: “Kush harron historinë e tij do të duhet ta ripërsëris atë”, tha Cara.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: