TIRANE- Drejtori i Departamentit të të Përndjekurve në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar pas lajmit të “Gazeta Shqiptare” për dhënien e “Medaljes së Mirënjohjes”, ish-anëtares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapo. Në faqen e tij të Facebook, Këlliçi tha se ky akt është i papranueshëm dhe është zyrtarizim i përpjekjeve të vazhdueshme për rehabilitimin e sistemit gjakatar komunist.

“Eshtë i papranueshëm dekorimi që qeveria i ka bërë Vito Kapos, një prej anëtareve të kupolës së regjimit komunist për më shumë se 4 dekada. Ky akt është zyrtarizimi i përpjekjeve të vazhdueshme për rehabilitimin e sistemit gjakatar komunist, i periudhës më të errët të kombit kur shqiptarët u dhunuan në të drejtat dhe liritë më themelore, e ku populli vuajti edhe zinë e urisë”, ka shkuar Këlliçi.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se po jep shpërblime e dekorata për persekutorët, në vend të dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë.

“Herë me foto të Enverit në ceremoni zyrtare, e herë me simbole që shfaqen kudo në aktivitetet e qeverisë, Rama-Meta po çojnë në fund planin e tyre provokues për glorifikimin e diktaturës. Kryeministri pati premtuar dëmshpërblim të të përndjekurve politikë, por në fakt po jep shpërblime e dekorata për persekutorët. Këto janë akte armiqësore ndaj kombit që ende i ka të freskëta kujtimet e vuajtjeve të mëdha që la sistemi komunist, të dhjetëra mijë të pushkatuarve, me gjyq e pa gjyq, të dënuarve me burgim të përjetshëm, të internuarve, e të torturuarve mizorisht”, ka shkruar Drejtori i Departamentit të të Përndjekurve në PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb