TIRANE – Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për një koncesion të dyshimtë me vlerë 96 miliardë lekë, për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave. Në emër të PD-së, Grida Duma deklaroi se “këto 96 miliardë lekë do të jepen me 30 Mars për klientët e preferuar të qeverisë, me një procedurë aspak transperante”.
“Dokumentet që po ju paraqesim, gjatë ditës së sotme janë hequr dhe janë vënë disa herë në portalin e Agjensisë së Prokurimit. Bëhet fjalë për një nga tenderat më të rëndësishëm të spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Në fakt, një nga tenderat më të rëndësishëm të jetës së njeriut. Momentin kur ai hyn në sallën e operacionit. Këto luhatje në transparencë, janë pasqyrim i asaj, cka qeveria e di sa shumë e rrezikshme është të planifikosh një koncesion të dyshimtë, në shifrën e 96 miliardë lekë. 96 miliardë lekë do të jepen për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave. Këto 96 miliardë lekë do të jepen me 30 Mars për klientët e preferuar të qeverisë, me një procedurë aspak transperante. Aktualisht, ky shërbim kryhet në shifra shumë më të vogla, dhe madje me përgjegjësi më të madhe. 96 miliardë lekë janë një shumë që e tejkalon disa herë koston e këtij shërbimi. Sipas specialistëve të fushës, norma e fitimit në këtë rast është të paktën 70%. Pra miku i Edi Ramës që do të fitojë këtë koncesion, do majmet me të paktën 67 miliardë lekë. Mungesa e transparencës është premisa e parë që tregon se 96 miliardë lekët janë projektuar tashmë, dhe fituesi me siguri është paracaktuar. Por sikur dëmi të ishte vetëm miliardat e lekëve kjo do të ishte një pjesë e të keqes, dëmi është edhe më i rëndë sepse ky koncesion i zëvendëson profesionistët që të paktën sot mbajnë përgjegjësi ligjore, me një operator privat, cka krijon më shumë pasiguri shëndetësore”- deklaroi Duma.
Sipas Partisë Demokratike, “Edi Rama po lëshon një pas një të tilla koncesione, një pas një po ndan të tilla shuma marramendëse me miqtë e tij. Korrupsion tashmë jo me pasoja të tërthorta për jetën e njerëzve, por të drejtpërdrejta”.
Partia Demokratike i kërkon qeverisë të tërhiqet nga ky projekt, që sipas saj, është tërësisht abuziv dhe korruptiv.
“Ne i bëjmë me dije sot kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë, se kur drejtësia të vijë, do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin e abuzimin e pafre me paratë e qytetarëve të vendit”- përfundoi Duma.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: