TIRANË- Partia Demokratike është shprehur sot kundër emërimeve të ambasadorëve në disa shtete. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD Dhurata Çupi tha se familjarët e ish-Byrosë Politike janë vendosur në poste diplomatike.

Çupi tha se rasti i fundit është ai i emërimit të ambasadorit të Shqipërisë në Suedi të Virgjil Kules, dhëndri Rita Markos. Po kështu ajo përmendi emërimin e mbesës së Hysni Kapos, ambasadore në UNESCO dhe dhëndrit të Lenka Çukos ambasador në Izrael.

DEKLARATA E PLOTË
Rilindja si bashkim i krimit dhe diktaturës, familjarët e ish-Byrosë Politike në poste diplomatike
Një nga kushtet që Shqipërisë t’i hapen negociatat qershorin e ardhshëm është detyrimi i qeverisë për të ndërtuar dialog konstruktiv me opozitën!

Por qeveria e ka shkatërruar që tani këtë prioritet, duke e shndërruar diplomacinë shqiptare në strehën e pinjollëve te ish-diktaturës komuniste.

Ministri Ditmir Bushati, i biri i Sul Bushatit, zbaton të njëjtat kritere siç bënte dikur i ati në diktaturë, duke emëruar familjarët e ish Byrosë Politike në poste të rëndësishme diplomatike.

Rasti i fundit është ai i emërimit të ambasadorit të Shqipërisë në Suedi të Virgjil Kules, dhëndri Rita Markos.

Ky emërim nuk është i rastësishëm! Mbesa e Hysni Kapos është emëruar ambasadore në UNESCO
Dhëndri i Lenka Çukos ambasador në Izrael.

Për të rinjtë që nuk i njohin, këta janë njërëzit që, bashkë me Enver Hoxhën, burgosën dhe vranë kundërshtarët e regjimit të tyre gjakatar, shtypën dhe sunduan për gati 5 dekada shqiptarët, duke na varfëruar deri në mjerim, duke na grabitur pronën, duke na mohuar të drejtat dhe identitetin tonë europian.

Asnjë nga këto emërime nuk është rastësi!
Edi Rama e konceptoi Rilindjen si bashkim mes krimit dhe pinjollëve e funksionarëve të regjimit komunist, duke nisur nga ai vetë.

Dhe bashkë me Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin, Ilir Beqjen, dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë, me rikthimin në shërbimin sekret të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, me portretin e Enver Hoxhës në festat zyrtare, Edi Rama ka ngritur sistemin kriminal të narkoenverizmit, një diktaturë e re që pushtetin e ka bazuar tek blerja e votës me paratë e drogës dhe të krimit.

Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë nga emërimet e lidhjeve të Edi Ramës me diktaturën komuniste dhe krimin! Partia Demokratike, si një alternativë e rinisë, do t’i hapë rrugën të rinjve shqiptarë për një Shqipëri si gjithë Europa!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb