TIRANË- Partia Demokratike reagoi sot pas arrestimit të përmbaruesit Baftjar Neli, i cili u vu në pranga se bllokoi pronat pa urdhër gjykate. PD deklaroi se kush denoncon aferat e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kërcënohet me jetë dhe kush zbaton vendimet e gjykatave kundër tij, arrestohet.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Fabian Topollaj solli si shembull ish-shefin e krimeve në fier, Dritan Zagani, i cili kërcënohet me jetë nga mafia.

“Nëse denoncon lidhjet e Saimir Tahirit me krimin dhe dëshmon publikisht me fakte e me prova, të kërcënohet jeta dhe duhet të kërkosh azil në vende të sigurta. Kështu ka ndodhur me oficerin Zagani, falë të cilit akuzat ndaj Tahirit për lidhje me trafikantët e drogës janë ndërkombëtarizuar, dhe po ashtu është bërë i njohur botërisht edhe fakti se ky oficer kërcënohet me jetë nga mafia e lidhur me ministrin. Nëse je përmbarues dhe duhet të zbatosh vendimin e gjykatës që është kundër Saimir Tahirit, arrestohesh. Kështu ka ndodhur me përmbaruesin privat Baftjar Neli i cili po ndiqte zbatimin e vendimit të Gjykatës ku Saimir Tahiri është dënuar për shpifje me 30 milionë lekë gjobë.

Pra Saimir Tahiri, kumbari i drogës në vend, lidhja e krimit me pushtetin, është i paprekshëm”, deklaroi Topollaj.

Më tej ai nënvizoi se “dëshmitarëve që flasin për lidhjet e tij me krimin u ndërsen banditët, përmbaruesve që duhet të zbatojnë vendimin e gjykatës kundër tij u vërsul policinë”.

“Kjo është gjendja dramatike e demokracisë në vend, ku sundon krimi dhe jo ligji. Ku qytetarëve u merret shpirti e u përmbyset gjithçka për një kupon tatimor, ndërsa Ministri i brendshëm nuk deklaron shitjen e makinës, nuk zbaton vendimin e gjykatës dhe arreston atë që është ngarkuar me zbatimin e vendimit të gjykatës kundër tij. Ministri i brendshëm është nën akuzat më të rënda në historinë e vendit dhe për këtë kanë shkruar dhe mediat më autoritare të Europës. Saimir Tahiri është një nga fytyrat e kësaj klike mafioze që duhet larguar sa nuk është vonë”, përfundoi Topollaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: