Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër zgjedhjeve në forumin rinor demokrati. Nga Lushnja, ku mbajti foltoren e radhës, Berisha tha se ky është një akt i turpshëm dhe stalinist.

Po ashtu, Berisha bëri thirrje që PD të rivendoset në shinat e lirisë e kjo sipas ish-kryeministrit arrihet përmes protestave.

“Ka vendosur pa pyet udhëheqjen e rinisë demokratike me kokë të tij, krijimin e një komisioni për të bërë zgjedhjet në forumin rinor. Një akt stalinist dhe i turpshëm. Të rinjtë te ne dhe gratë nuk janë leva të partisë, por me ta ndajmë të njëjtat principe dhe qëllime. Kanë vendin e tyre dhe pavarësinë e tyre. në këtë formë që ka vepruar kryetari pa parti, s’ka vepruar një njeri i vetëm. Ju bëj thirrje të rinjve, që të marrim dorë në këtë foltore siç po e marrin çdo ditë e më shumë. Kjo foltore, është para së gjithash për të futur PD në shinat e lirisë.

Kjo synon të vendosim rregulla demokratike brenda nesh. Të vendosim vullnetin tuaj, votën tuaj, vendimin tuaj si themel të veprimtarisë së PD. Ndaj dhe kjo foltore nuk drejtohet kurrë ndaj demokratëve që mendojnë ndryshe nga ne. Nuk drejtohet ndaj partnerëve tanë. Kjo foltore është një përpjekje e re e madhe e djemve dhe vajzave me ideale të larta konservatore, për të shpëtuar opozitën shqiptare nga rrënimi i saj, nga një agresion i madh i marrë nga Edi Rama. Asgjë nuk do të më mund të më mposhte mua nga e vërteta që më është mohuar. Mbrojtja e identitetit tim është personale. Unë jam njeriu më i votuar i këtij vendi dhe unë padyshim që mbroja edhe në emër të të gjithë atyre që më kishin besuar mua. Unë jam përpjekur të ruaj dinjitetin e tyre. Ditën që kam dhënë dorëheqjen më 26 qershor të 2013 kam deklaruar se këtë e bëj për dinjitetin tim dhe tuajin se ashtu besoja unë. Nuk ka dyshim dhe kam kënaqësi të them se në rrafshin politik kjo betejë është një sukses sepse as në Evropë nuk gjen djem e gra që t’i u thua unë kam prova, por nuk i them.

Këtë nuk e përtyp njeri dhe ju garantoj që kjo po del e qartë në dritën e diellit. I bëj thirrje qytetarëve të ndershëm, demokratëve dhe demokrateve që të bashkohemi, të ngrihemi fuqishëm si opozitë e vërtetë për të rrëzuar këtë regjim me bindjen e thellë se Edi Rama me kontrollin që i bën votave nuk ikën me vota. Historia na bën të votojmë me duart tona, këmbët tona, protestat tona. Ftoj delegatët të na bashkohen më 11 dhjetor, në Kuvendin e ringritjes së PD. Thirrja ime nga Lushnja, është që të rrojë pluralizmi, demokracia dhe Shqipëria. Më shumë mund të kishim bërë për Lushnjën, por rrugën nga Divjaka për në Kolonjë, jemi përpjekur të vetëdijshëm se sa e rëndësishëm në prodhime është ky rreth. Sigurisht që kishte nevojë shumë më tepër, e këto do i kemi parasysh.

Lushnja do të jetë një prefekturë. Lushnja e ka të gjithë peshën e plotë për të qenë një prefekturë krenare e këtij vendi. Ndryshimin do e bëj vota e lirë. Nuk ngremë krye ne si opozitë, duhet të ecim të sigurt rrugës së fitores”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb