Kreu i PD-së  së Lushnjës, Myslim Murrizi bëri publik një material të prokurorisë që i përkiste përgjimeve të bëra ndaj ish-drejtoreshës arsimore të këtij rrethi Liza Tabaku e arrestuar dhe e dënuar. Sipas materialit, vetëm për periudhën dhjetor 2013- maj 2014 janë emëruar me ndërhyrjen e deputetëve të PS dhe LSI 169 mësues.

Nga ana tjetër qeveria ka reaguar përmes portalit, transparenca.al duke mohuar emërimet e mësuesve nga deputetët. Sipas deklaratës së qeverisë, ky është një tjetër fabrikimi që tenton të hedhë baltë mbi reformat e suksesshme në arsim.

“Për emërimet e mësuesve në Lushnje: Akuza në fjalë është një tjetër fabrikim që tenton të hedhë baltë mbi reformat e suksesshme në arsim të ndërmarra nga kjo qeveri. Lista e pretenduar nga Partia Demokratike nuk ekziston, ajo mund të prodhohet lehtësisht nga çdo përdorues interneti.

Të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën se si punësohen mësuesit në ciklet e ndryshme arsimore, mund të vizitojnë portalin “Mësues për Shqipërinë” në adresën http://mesues.arsimi.gov.al/ ku do të gjejnë të gjitha kriteret, procesin konkurrues, rezultatet, vendet e lira të punës dhe listën e pritjes së atyre që dëshirojnë të punësohen. Të gjithë personat e kualifikuar që kërkojnë të punësohen në arsim, marrin pjesë në një konkurs kombëtar dhe më pas punësohen në bazë të meritës dhe renditjes në konkurrim. Përveç atyre që janë punësuar tashmë, është krijuar një listë pritje dhe sa herë hapet një vend i ri pune apo lirohet një vend ekzistues, mësuesi që punësohet përzgjidhet automatikisht nga lista e pritjes, në bazë të pikëve të marra. Kjo metodë transparente dhe bazuar tërësisht në meritë nuk lë asnjë hapësirë për të abuzuar me punësimet në sistemin arsimor”, thuhet në reagim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: