Partia Demokratike ka mbledhur grupin e saj parlamentar këtë të hënë, për të diskutuar për reformën zgjedhore.

Gazetari Osman Stafa u shpreh se grupi vijon që të punojë për reformën zgjedhore, ndërsa bëhet me dije se opozita vazhdon të kundërshtojë Komisionin Zgjedhor, duke e konsideruar shtojcë të një Kuvendi ilegjitim.

Në PD janë tre grupe që janë mbledhur për të punuar mbi reformën zgjedhore. Sot po bën mbledhje grupi i oponencës, i kryesuar nga ana e Enkelejd Alibeajt.

Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma zgjedhore do të ndahet në dy faza, në atë të implementimit të reformës sipas standardeve të OSBE, ndërsa faza e dytë është që të ketë dialog me opozitën.

Ndërsa, Enklejd Alibeaj në një dalje publike për mediat tha se sot u bë mbledhja e parë e njërit prej nën-grupeve. Alibeaj tha se grupi që ai udhëheq diskutoi për shit-blerjen e votës, por edhe për politizimin e administratës zgjedhore.

“Ne kemi dëshirë reale që të bëhet reforma zgjedhore. Por, nuk mund të bëhet reforma zgjedhore, duke u mbështetur vetëm në deklaratë të Ramës se nuk vjedh votën. Kjo nuk është dëshirë, por është t’iu hedhësh sy shqiptarëve. Rama tallet me shqiptarët, duke mos goditur në themel shit-blerjen e votës.

Reforma reale do të ishte që të gjendet ilaçi efektiv në këtë rast për të mos shitur e blerë votën. Palës tjetër i kemi thënë që t’i kthehet seriozitetit.  Ne duam reformë reale, të orientuar totalisht nga ato që ka thënë opozita dhe tashmë e thonë edhe gjermanët e Bundestagut. Nuk ka vullnet politik për të dënuar ata që shesin e blejnë vota. Nga drafti i maxhorancës, disa propozime ishin tallje”, tha Alibeaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb