Partia Demokratike do të mbledhë këtë të enjte, më 15 korrik, Kryesinë. Burime pranë selisë blu bëjnë me dije për gazetarin e “BalkanWeb”, Osman Stafa, se Kryesia do të mblidhet në orën 18:00.

Gazetari Stafa siguron për “BalkanWeb” mesazhin që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, iu ka dërguar demokratëve, duke i informuar për rendin e ditës.

Mesazhi i Bardhit:
Të nderuar anëtarë të Kryesisë,
Ditën e enjte, datë 15.07.2021, ora 18:00 do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë rend dite:
1. Shqyrtimi i përmbledhjes së analizës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit, për fazën e parë të saj.
2. Shqyrtimi i ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike që do ti propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar të Partisë, në mbledhjen e tij të datës 17 Korrik 2021.
3. Miratimi i urdhrit për ngritjen e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 Korrik 2021 të Kuvendit Kombëtar.

4. Njoftimi nga Kryetari i Partisë i listës që do të propozojë për votim për kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar.
Të mërkurën, datë 14.07.2021, orën 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Përhershëm Statutor, për të shprehur mendimin e tij për propozimet që do të vijnë deri të martën, datë 13.07.2021, nga anëtar të Komisionit, anëtar të Kryesisë, Kryetari i Partisë, anëtar të Këshillit Kombëtar, apo strukturat lokale të Partisë.
Duke ju uruar punë të mbarë,
Sekretari i Përgjithshëm
Gazment Bardhi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb