Partia Demokratike ka sulmuar sot qeverinë ‘Rama’ për sektorin e shëndetësisë, koncensionet apo dhe papunësinë në vend. Në një dalje publike nga selia blu, deputetja e PD, Lindita Metaliaj pohoi se në 5 vite qeverisje nga Rama janë rritur taksat, bashkë me papunësinë dhe varfërinë.

Sipas Metaliajt, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet, do të anulohen koncesionet korruptiv. Ndërkohë ajo theksoi se me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qindarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve!

DEKLARATA E PD
Në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës shumë gjëra kanë shkuar keq e më keq.
Taksat janë rritur
Varfëria është rritur
Papunësia është rritur
Korrupsioni është rritur
Por më keq nga të gjithë sektorët është shëndetësia!
Shqiptarët që, sipas premtimit mashtrues të Edi Ramës duhet të kishin shëndetësinë falas, pas 5 vitesh kanë nje sistem më të keq shëndetësor dhe paguajnë shumë më shtrenjtë për jetën.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përkufizuar me 1 fjali përkeqësimin e sistemit shëndetësor në 4 drejtime kryesore. Po citoj:
“Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare, QSUT.”-thuhet në konkluzionin e KLSH-së.

Së pari: Mungesa e specialiteteve, pra e mjekeve specialistë në spitalet e vendit tregon dështimin total të qeverisë me shëndetësinë. Për shkak të mungesave skandaloze të pajisjeve në spitale, mjekët ose nuk pranojnë të shkojnë ne rrethe ose largohen në emigrim.

Së dyti: Mungesa e performancës në shërbimin parësor, pra në qendrat shëndetësore është treguesi më i qartë sesi sistemi është lënë në mëshirë të fatit, pa investime, me infrastrukturë të rrënuar, pa pajisje, pa ilaçet më elementare. Sistemi është vënë në shërbim të koncesioneve korruptive, veçanërisht të check up-it, pasi puna e mjekut dhe infermierit matet jo si i shërben qytetarit, por me sa analiza check up bën në muaj.

Së treti: Përqendrimi i pacientëve në QSUT është treguesi sesi situata në spitalet e rretheve është përkeqësuar për shkak të braktisjes nga qeveria dhe centralizimit të shërbimit në një spital të vetëm, ku Ministrja kontrollon tenderat qindra milionësh.

Së fundi, por jo për nga rëndësia: raporti i KLSH provon atë që vuan sot çdo shqiptar i zakonshëm: shtrenjtimin e një shërbimi më të keq shëndetësor. Dhënia me konçesion e shëndetit të shqiptarëve nga Edi Rama është arsyeja kryesore e përkeqësimit të përditshëm te shëndetësisë.
Janë te paktën 385 milionë euro që paguhen nga taksat tona për 4 konçesione më shëndetësi.
120 mln euro për Check up
100 mln euro për laboratorët
92 mln euro për sterilizimim e pajisjeve mjekësore
73 milionë për hemodializën
Asnjë nga këto konçesione nuk ka përmiresuar shërbimin në rrethe. Spitalet Rajonale nuk funksionojnë dhe i gjithe sistemi shëndetësor është në kolaps.
Në spitalin rajonal të Lezhës, zonë të cilën përfaqësoj në Parlament, përveç ilaçeve dhe pajisjeve, mungojnë:
1 – mjeku anatomo- patholog
2 – mjeku hematolog
3 – mjeku ortoped-traumatolog
4 – mjeku anestesist
5 – mjeku neurollog e psikiate
6 – mungojnë kirurgët.
Pasojat bien direkt mbi qytetarët, që duhet të paguajnë me shtrenjtë atë që mungon në spitalet rajonale.
Shëndetësia sot është më keq, sepse Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqja kanë zgjedhur të japin qindra milionë miliona euro për konçesione dhe tendera korruptivë, në vend që të investojnë për t’u siguruar shqiptarëve shërbim shëndetësor me standarde.
Partia Demokratike është e vendosur të anulojë çdo koncesion korruptiv! Me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qindarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: