TIRANE

Që prej 26 Shkurtit përfaqësuesit e PD-së nuk kishin shkelur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por duket se demokratët po ndryshojë strategji sa i takon procesit të organizimit të zgjedhjeve lokale.

Në mbledhjen e KQZ të kësaj të premteje, pas mbi dy muaj e gjysëm mungesë, i dërguari ligjor i PD-së Njazi Kosovrasti, jo vetëm që u ul në karrigen që prej vitesh mban, por edhe u përfshi në debat me nënkryetarin e Komisionit, Denar Biba.

Shkak u bënë kërkesat e Kosovrastit mbi organizimin e zgjedhjeve nga administrata e KQZ-së. Biba bëri të qartë se Kosovrasti nuk kishte të drejtë të ndërhynte pasi PD nuk është regjistruar në zgjedhje.

Fakti që PD nuk është regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, shtoi intensitetin e debatit.

Pjesëmarrja e përfaqësuesit të PD-së në mbledhjen e KQZ-së vjen një ditë pasi sekretari i Përgjithshëm demokrat Gazment Bardhi pranoi se opozita mund të dërgojë emrat për anëtarë të KZAZ-ve. Bardhi saktësoi se nisur nga fakti se po kryhen manipulime të rënda të procesit zgjedhor, po merret në konsideratë dërgimi i anëtarëve në këto komisione për të dokumentuar dhe çmontuar paligjshmërinë, si dhe për të provuar ligjërisht që kryeministri Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur përballë nuk ka kundërshtarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb