Analisti Fitim Zekthi i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me situatën në Partinë Demokratike dhe atë politike në vend, teksa deklaroi se PD ndodhet në krizë të plotë dhe se nuk ka qartësi politike dhe organizative dhe se duhet të ketë reformim të plotë.

Sipas tij lufta në PD ka prodhuar dy filozofi, atë të Berishës të cilën Zekthi e cilësoi si “bolshevike dhe leniniste” dhe atë të Alibeajt, i cili sipas tij është sulmuar, dhe që përfaqëson filozofinë e çështjes së legjitimitetit në lidhje me marrjen e kryesisë së partisë.

Sakaq, ai foli edhe për situatën në vend, teksa tha se kryeministri Rama duhet të “shporret një orë e më parë”, pasi sipas tij ka manipuluar zgjedhjet dhe ka ndërtuar një regjim patronazhist për të fituar zgjedhjet.

“PD është në një krizë të plotë sa i përket aspektit politik, nuk ka qartësi dhe ideologji, por dhe në organizim është e ndarë në dy pjesë. Ka një krizë të thellë që ka një vit që është shfaqur dhe ka nisur rreth 10 vite më parë kur PD filloi të mbulonte problemet e saj dhe të shkëputet nga interesi I qytetarëve. Elita politike ka qenë e korruptuar, deri vitin e kaluar PD nuk pa asnjëherë çfarë problemesh pati, pse ra në opozitë, si duhet të reagonte.

Një parti kur bie në opozitë duhet të ndryshojë të paktën 3 gjëra, lidershipin, ekipin drejtues dhe narracionin e diskursin. Dha dorëheqjen Berisha, pra iku lideri por jo lidershipi, mbeti gjithë ekipi drejtues, ish-ministra, drejtorë, etj. Basha nuk qe i zoti të bënte këtë ndryshim. Duhet të shihej çfarë shkoi keq.

Vendit i duhet një opozitë e fortë, por nuk duan ta kuptojnë, nuk kanë interes. Një opozitë është ai entitet politik që thotë të vërtetën dhe shndërrohet në alternativë qeverisjeje. E vërteta duhet të thuhet për veten e vetë, ka thënë të vërtetën vetëm për Ramën, duhet bërë, por duhet të tregohet cili je ti. Po të përkufizohet vetja do dalë që gjysma e PD-së të largohet nga partia. Ka persona nga 20 e 30 vite aty dhe kërkojnë të reformojnë partinë. Zgjedhësit pyeten ditën e zgjedhjeve nëse e duan kryeministrin që kanë, dhe kur thonë jo, pyeten nëse duan ta zëvendësojnë me kandidatin tjetër dhe thonë sërish jo. Në kryesinë e PD ka pasur dualitet, të gjithë besonin se Berisha nuk kishte dhënë dorëheqjen por se ishte Berisha.

Në krizën totale të sotme mbroj këtë pikëpamje, lufta prodhoi dy filozofi, një është ajo e Berishës që thotë se njerëzit në miting apo kudo vendosin se cili drejton partinë, kjo është bolshevike e leniniste në mendimin tim. Filozofia tjetër thotë se drejtimi i partisë është çështje legjitimiteti nga institucionet. Alibeaj përfaqëson këtë të dytën. Në gjykimin tim është mënyra e vetme për tu marrë vesh, nëse hedhim në rrugë institucionet kemi shkuar në anarki dhe bolshevizëm. Rama duhet të shporret një orë e më parë, por me mënyra legjitime dhe jo të dalim të marrim pushtetin me dhunë. Duhet të gjendet një mënyrë për bashkim, jo të përdoren gjuhë që ky është vegël e Ramës, ky është insekt, etj. Kjo është e papranueshme dhe nuk të çon asgjëkund, vetëm në komunizëm fitohet kështu. Kryeministri po fiton sepse ka ndërtuar një regjim patronazhist dhe sepse manipulon zgjedhjet. Të gjithë e dimë se kjo luftë nuk bëhet se u dhimbset Shqipëria, bëhet për interesa. Alibeaj u gjend në luftë, për mua partia duhet të hyjë në një proces të ri riformimi dhe zgjedhjesh. Nëse nuk e duan këtë vend të vijojnë me këtë lloj luftë sepse interesi i tyre epshor e personal është më i rëndësishëm se gjithçka. Lufta është ekstreme, nuk besoj se do zgjidhet.

Qeveria ka përgjegjësi që ka shkatërruar si jetohet në vend duke sjellë që njerëzit të largohen, e gjitha kjo e ka bërë të pamundur jetesën sidomos të të rinjve. Kjo është përgjegjësia e vendit, ku të jetë një vend ku jetohet me dinjitet. Në Britani ka shumë emigrantë, nuk besoj se qeveria mund të bëjë shumë për situatën e tyre momentalisht. Britania ka nisur të ketë një gjuhë krejt të ndryshme pas daljes nga BE, aty ka shumë emigrantë, por ata që kryejnë krime nuk janë shumica. Nuk mund ta vuajë një popull i tërë atë që bëjnë një pjesë shumë e vogël”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: