TIRANË- Partia Demokratike deklaron se në shtëpinë e kushërinjve të një deputetit socialist janë gjetur 50 kg kanabis sativa e tharë por se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri po mundohet të fshehë ngjarjen. Në një deklaratë për mediat, PD thotë se droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën.

“Edhe sot që raporti i monitorimit ajror tregon pesëfishim të sipërfaqes së drogës, Saimir Tahiri është sërish në shërbim të trafikantëve.

Tahiri po mundohet të mbajë të fshehur një ngjarje që ka ndodhur pasdite, në mënyrë që të lehtësojë rrethanat e kushërinjve të deputetit Xhemal Qefalia në banesën e të cilëve është gjendur 50 kg kanabis sativa e tharë.

Droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën. I ndaluari është Haxhi Qefalia, por Tahiri ka bllokuar daljen e informacionet dhe po bëhen të gjitha ndërhyrjet për ta nxjerrë të afërmin e deputetit”, deklaron PD.

PD i kërkon policisë të bëjë transparencë dhe nxit prokurorinë për hetime.

“Partia Demokratike e dënon ashpër këtë shërbim kriminal të urdhëruar nga Saimir Tahiri.

I kërkojmë policisë të bëjë transparencë të menjëhershme për ngjarjen.

Partia Demokratike e nxit prokurorinë të hetojë rastin dhe të ndalojë ndërhyrjet politike e presionet e Saimir Tahirit në këtë çështje”, deklaron PD.

REAGON DEPUTETI QEFALIA: NUK E NJOH FARE PERSONIN. DO JU PADIS PER SHPIFJE
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Xhemal Qefalia. Deputeti socialist ka thënë për “BalkanWeb” dhe “News24” se akuzat e PD janë të pavërteta, dhe thekson se do të padisë këtë subjekt politik për shpifje ndaj tij.

Qefalia mohon kategorikisht të ketë lidhje me personat të cilëve iu gjet kanabis, ndërsa shton se me këtë mbiemër në Tiranë ka shumë familje.

“Unë hedh poshtë me neveri këtë akuzë që bën PD. Nuk kam asnjë lloj lidhje me ngjarjen. Nuk e njoh fare personin. Nuk është banor në zonën time. Është një absurditet nga ana të PD. Do padis PD për këtë shpifje të paskrupullt që bën ndaj meje. Mbiemri Qefalia është mbiemër i madh. Gjendet kudo në Tiranë. Dhe nuk ka asnjë lidhje me familjen time”, tha deputeti Qefalia.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: