Pedagogu Mark Marku, i ftuar në rubrikën “Opinion”“News 24”, komentoi zhvillimet e fundit brenda kampit të Partisë Demokratike.

Ai tha se PD s’ka arsye pse të jetë kundër zgjatjes së Vetingut, pasi është një proces i domosdoshëm për vendin. Po ashtu, ai tha se deri më tani nuk ka parë politikanë që janë dënuar apo arrestuar, ndërsa shtoi se pret që politikanët që nuk justifikojnë pasurinë të largohen nga detyra.

Sakaq, ai u ndal dhe te situata e brendshme e PD, me ish-kryeministrin Sali Berisha që ka nisur një aksion politik të quajtur “Foltorja” dhe Lulzim Bashën që po e ndjek këtë situatë në heshtje.

Për Markun PD ndodhet në një situatë “traumatike” dhe nënvizoi se me figura e Berishës si lider është “konsumuar” dhe nuk ka se çfarë t’i ofrojë më Partisë Demokratike.

Mazhoranca ka kërkuar zgjatjen e organeve të Vetingut, Basha ka kërkuar ndryshimin e hartës territoriale të vendit dhe një reformë të plotë zgjedhore. Si e shikoni ju këtë?

Mark Marku: Unë mendoj që PD duhet të qëndrojë qasjen ndaj Reformës në Drejtësi. Në kuptimin që Reforma në Drejtësi të merret si diçka e mirë, sepse ka qenë e domosdoshme. Rezistenca që ka bërë do të duhet të ishte më bashkëpunuese, të bënte presion dhe të propozonte alternativa. Nuk mendoj që duhet vendosur kushte. Propozimet e opozitës mendoj që janë gjëja e duhur. Nuk mendoj që Vetingu ka qenë i pastër, sepse ka pasur 2 standarde. Në demokraci duhet të bësh gjënë ideale. Vetingu le të zgjatet. Duke qenë se është e nevojshme të vazhdojë, sepse nëse ngelet në mes nuk kemi përfitime. Një nga problemet e reformës është që zëri i tyre s’ka ekzistuar dhe mendimi i korporatës s’ka ekzistuar. Deri më tani është dëshmuar që drejtësia në raport me politikanët s’ka vepruar.

Po si mund të ndikojë te politikanët kjo drejtësi?

Mark Marku: Drejtësia është objekt diskutimi edhe në vendet Evropiane, por të gjithë ama atje do të shkojnë. E djathta italiane akuzon sistemin në drejtësi, duke thënë se komandohet nga e majta. Drejtësia duhet respektuar. Opozita do të duhet të shkojë. Edhe ne do të duhet të shkojmë nëse kemi probleme. Unë mendoj që në këto 30 vite një nga problemet më të mëdha ka qenë korrupsioni dhe ajo është ushqyer nga politikanët. Jemi vend paradoksal. Ka politikanë më të pasur se sa biznesmenë.

Kjo opozitë që deri dje kishte rezerva për SPAK-un sot i beson?

Mark Marku: Besoj ka ndryshuar qasje. Deklarohen pasuritë, por aty s’ka investigim, aty dalin të gjithë të pastër. Deri më tani s’kemi asnjë politikan të dënuar. Pasuria publike është grabitur këto 30 vite në mënyrë masive, nga politikanët, funksionarët publike, ato të administratës, e për këtë duhet të përgjigjen e kjo pasuri duhet t’i kthehet qytetarëve. Mbi këtë bazë do të ketë një qeverisje ndryshe. Sot manipulohet administrata dhe vetë qytetari korruptohet sepse e di mirë që në momentin që duhet të shkojë diku duhet të paguajë dhe shoqëria është në një moment depresiv, sepse për të pasur atë shërbim duhet të paguaj. Në momentin që fillon apstrimi s’mund të ketë rezultate të menjëhershme, por duhet vendosur bazat të një sistemi që godasin korrupsionin. Duhet që deputetëve t’i verifikohet pasuria dhe nëse ajo nuk justifikohet të ikin.

Ju ishit në fushatën elektorale, por e patë të gjithë procesin, sa penalizon sistemi betejën politike në fushë të lojës?

Mark Marku: Mua s’më pëlqen që PD e shtron këtë gjë si proces elektoral. Reforma Territoriale ka qenë e përqendruar te një hartë elektorale e favorshme për ta. Gjëja që kam vënë re unë, është se kjo ndarje territoriale e pushtetit lokal, ka bërë që të përqendrohet edhe më shumë pushteti. Njësitë e tëra të territorit të një zone X, praktikisht nuk përfitojnë nga taksat që paguajnë. Më parë bëhej një rrugë varrezash, një rrugë fshati. Kurse tani me krijimin e njësive të mëdha, llogaritë bëhen të tilla që investimet do të bëhen aty ku janë banorët më shumë dhe një pjesë e tjetër të territorit. Kur janë ndarë vendet Evropiane, si përshembull në Itali dhe Francë ka komuna me 700 banorë.

Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike, ku jemi në 2 linja paralele që duket se nuk do të ballafaqohen. Si do të ndodhë ky ballafaqim?

Mark Marku: Ajo që shikoj unë është se gara e brendshme ka degraduar në konceptim e lëvizjes së një partie për të ndryshuar partinë. Jemi në kuadrin e një lufte personale, e shkaktuar nga reagimet e zotit Berisha i cili për shkak se u godit po ndërmerr këto veprime. Kjo më jep të kuptoj që shqetësimi personal, po shfaq gjënë e vet më të keqe, sepse partia e tipit të liderit e kam kundërshtuar.

Po këta njerëz që i shkojnë nga pas?

Mark Marku: Vetë anëtarësia e PD, por edhe e popullit opozitar është në një fazë depresive për shkak të humbjes. Kur situata nuk është shumë shpresëdhënëse ata besojnë ata që duan të besojnë. Njerëzit janë të dëshpëruar, kanë arsye që të jenë të pakënaqur.

Ku po e çon kjo betejë PD?

Mark Marku: Unë dua që partia të mos të ndahet. Sepse ekziston një mundësi që kjo betejë të çojë në ndarjen e partisë, sepse asnjëra palë nuk heq dorë. Ekziston mundësia që të kthehet pas. Sepse Berisha ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta si lider, por për moshën që ka, ai është konsumuar. Ai nuk ofron një gjë më shumë se ajo që ka qenë në të kaluarën. Rikthimi do të thotë regres nga pikëpamja politike. Basha s’po jep argumentet e duhura, s’po del në një vizon se si do të jetë PD dhe opozita në 4 vitet e ardhshme. Duhet të ketë një zhvillim traumatik, sepse nga krizat e mëdha mund të dalin gjëra të mira. Duhet të mendohet për ide se sa për individë. Edhe anëtarësia ta ketë këtë vetëdije se nga pëlqimi i tepërt mund të shkatërrojnë PD. Mundet që me veprimin dhe pasionet e tyre, që janë të ligjshme ta shkatërrojnë vetë strukturën ku janë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb