Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se nëse do të numëroheshin votat e pavlefshme, PS do të merrte katër deputetë më shumë nga se mori.

“PS përherë pas zgjedhjeve, ka bërë analizë, për të parë se ku kemi çaluar. Ka disa qarqe ku kemi performuar mirë, në disa më pa, për të parë ku janë plotësuar dhe ku nuk janë plotësuar arritjet e domosdoshme të PS-së. E bëjmë këtë që PS të mund të përmirësoj vetveten në zgjedhjet që do kemi në të ardhmen. Do të kemi një Kongres të Jashtëzakonshëm, për të paraqitur vizionin e PS-së për vitin 2030.

Është proces që do zgjasë deri më 15 janar 2022. në këtë etapë, do jemi përpara duke paraprirë zgjedhjet lokale. PS është përherë një hap përpara sa i përket organizimit partiak. PS duhet të përmirësojë veten, për të arritur objektivat që ne kemi shpalosur tashmë. Kemi për herë të parë zgjedhje me këtë Kod të ri. Duhet të kishim Kod Zgjedhor të miratuar në kohë. PS do të merrte edhe katër mandate, për shkak të votave që dolën të pavlefshme”, tha Gjylameti.

Blerina Gjylameti vlerësoi se PD ngriti alibi për humbjen e radhës dhe se KAS e institucionet e tjera zgjedhore nuk i dhanë të drejtë.

“Ne kemi qenë përherë të angazhuar në pjesën e analizave pas-zgjedhore. Le të urojmë që ajo që presin qytetarët të përmbushet me shpejtësi. E rëndësishme është që PS funksionon në ekip. Opozita nuk njeh zgjedhjet, por njeh mandatet në parlament dhe këtu ka problem logjik. Ne duam që të kemi një proces sa më transparent. Ne të gjithë e pamë se patëm rinumërim të votave dhe nuk kishte ndryshim të rezultatit zgjedhor.

PD ngriti alibi për humbjen e radhës, ngriti çështje që nuk janë thelbësore. Ne do të kërkojmë bashkëpunim me opozitën, në mënyrë të tillë që të adresojmë në mënyrë të saktë çështje të caktuara. E rëndësishme është që të jemi në tryezë bashkëpunimi dhe t’i themi STOP proceseve që janë zvarritur në kaq kohë demokraci. Ne jemi të hapur dhe kërkojmë që të kemi bashkëpunim”, u shpreh Gjylameti.

Në lidhje me videon e publikuar në Tik Tok nga gjyqtarja Enkelejda Kapedani, Gjylameti nënvizoi se duhet që të gjithë të presim hetimet e ILD-së.

“Nuk dua të jap një mendim timin për çështjen. Unë besoj se institucionet kanë kode etike. Kemi ILD-në që ka nisur hetim për çështjen dhe duhet të presim”, përmbylli Gjylameti.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb