Berisha, ish kryetari historik i demokratëve po i jep përgjigje disa pyetjeve të rëndësishme që janë ngritur në mjediset e opozitës dhe debatit publik pas vendimit të largimit të tij.

A po e bën këtë për interesa personale apo parimore? Pse tani dhe jo më parë? Pse e ka mbështetur Lulzim Bashën prej 2013 dhe pas dy humbjeve të zgjedhjeve në 2017 dhe 2021? Ku gaboi Basha me vendimin e largimit dhe pse vendimet në një parti demokratike nuk merren individualisht?

Këto dhe dyshimet e ngritura rreth moralitetit të lëvizjes së tij, të drejtës së Bashës për të zgjedhur SHBA dhe interesin e PD, frikës se kjo që po ndodh në PD do ta përçajë atë, Berisha po i përgjigjet me vënien në rend të parë të dinjitetit të individit, sovranitetit të PD, të drejtën e vendimmarrjes në forume dhe jo nga kryetari apo bashkimin propagandistik të PD kur Lulzim Basha të ketë ikur.

Mund të analizojmë secilin nga këto dilema që demokratët po i peshojnë gjatë këto ditë, por krye dilema për anëtarët e saj, opozitën dhe më gjerë vendin është se si do të zgjidhet nga Berisha, nga iniciativa e tij politike, Kuvendi i jashtëzakonshëm dhe produktet e këtij Kuvendi, problemi me SHBA, që është në fakt shkaku i asaj që ndodh sot në PD.

Në rastin se Berisha ja arrin që me marshimin e vet politik të bëhet fitues duke i imponuar Bashës dhe mbështetësve ë tij fuqinë e bazës demokrate, ai do të arrijë në një pikë që do të duhet të zgjedhë pasuesin e Bashës. Në këtë rast variantet janë dy; ose një rikthim rij në krye të PD ose një emër i tretë , por sigurisht afër ideve të tij të pas 9 shtatorit dhe kundër Bashës. Pra një figurë e PD që të ketë kundërshtuar përjashtimin e Berishës, me pak fjalë një “berishist” në kuptimin e ideologjisë politike.

Kjo do të thotë se në teori ne mund të kemi një parti më demokratike se ajo e Lulzim Bashës, por sigurisht që do të kemi një parti që nuk do të ketë asnjë raport me ShBA.

Kjo PD do të jetë më e vogël se kjo që kemi për shkak të ikjes së Bashës dhe përkrahësve të tij dhe do të ketë shumë më pak shanse për të fituar zgjedhjet. Jo sepse në pushtet të sjell Amerika apo Europa. Nuk ka ndodhur kjo në Shqipëri. Ajo që ka ndodhur është që fitorja, arritja e shumicës së votuesve ka nevojë për disa tipologji votuesish, por sidomos për pjesën gri. Elektorati në fjalë është më i informuari dhe analitik se pjesa tjetër e militantëve apo më keq akoma e atyre që u blihet apo imponohet vota. Votuesit gri nuk shkojnë pas emocioneve false dhe propagandës bajate të politikanëve. Ata nuk kanë përkrahur kurrë partitë që tundin flamujt e popullzimit bosh dhe sovranitetit fals. Afërmendsh që ky lloj votuesi nuk mbështet një parti që nuk ka marrëdhënie të mira me Perëndimin.

PD që po ngjizet në ‘Foltoret” e ditëve të fundit të kujton PD e viteve ‘97-00, e cila nuk fitonte zgjedhjet për shkak se ngjarjet e 1997 ishin të freskëta, por edhe sepse në ato vite raportet e PD me SHBA e BE herë pas herë preknin fundin. Votuesit shqiptar nuk e mbështetën asnjëherë një sjellje të tillë të PD së asaj kohe, ashtu siç e ndryshuan në 2005, kur PD e Berisha bëri çdo përpjekje për të rivendosur raportet normale me faktorin ndërkombëtar, duke rregulluar marrëdhëniet edhe me ultra-nacionaliston grek me banim në SHBA, Nikoals Gejxh, të cilin e kishte shpallur “non grata” në 1994-ën, por e priti ngrohtësisht në PD në 2002.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb