TIRANË- Partia Demokratike ka zbuluar emrat e dy deputetëve për të cilët pretendon se janë me të shkuar kriminale. Bëhet fjalë për dy deputetët Gjetan Gjetani i PS-së dhe Aqif Rakipi i PDIU-së. “BalkanWeb” ka siguruar shkresën e PD-së me anë të së cilës i kërkohet Prokurorisë të bëjë verifikimet për dy deputetët.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur.
Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin, dhe për të nxjerrë krimin nga parlamenti dhe institucionet e shtetit. Në të kundërt, lidhur me këto dy raste por edhe të tjera që po trajtohen nga Partia Demokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit, dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit”, thuhet në deklaratën e PD-së.

KËRKESA PËR DEPUTETIN E PS GJETAN GJETANI
Në kërkesën për deputetin Gjetan Gjetani, deputetët firmëtarë të PD-së shkruajnë se kanë informacione në rrugë informale se subjekti Gjetan Gjetani, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Gjetani është deputeti i tretë i zgjedhur në qarkun e Lezhës, pas Lindita Nikollit dhe Pjerin Ndreut.

“Kërkesë për verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të subjektit Gjetan Kol Gjetani.
Drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Të nderuar,
Në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar, ku specifikohet se: “Verfikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, kryhet sa herë kjo kërkohet nga 1/10 e deputetëve, për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga Kuvendi i Shqipërisë”, kërkojmë nga ana juaj verifikimin e plotë të të dhënave të deklaruara në Formularin e Vetëdeklarimit nga subjekti Gjetan Kol Gjetani, me detyrë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Gjetan Gjetani, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Për këtë arsye kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo kërkesë e jona, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të ligjit nr.138/2015.
Në pritje të dhënies rrugës kësaj kërkese në përputhje me ligjin”, thuhet në shkresë.

deputetet-me-te-shkuar-kriminale.-1jpg

KËRKESA PËR DEPUTETIN E PDIU AQIF RAKIPI
E njëjta kërkesë nga grupi i deputetëve të PD-së është bërë edhe për deputetin Aqif Rakipi, i zgjedhur si deputeti i PDIU-së në Elbasan, qark ku kjo forcë mori 2 mandate. Rakipi ishte i pari i listës së PDIU-së.

“Kërkesë për verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të subjektit Aqif Kahraman Rakipi.
Drejtuar: Prokurorisë së Përgjithshme
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Të nderuar,
Në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, ose emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar, ku specifikohet se: “Verifikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, kryhet sa herë kjo kërkohet nga 1/10 e deputetëve, për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për nëj të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo për të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga Kuvendi i Shqipërisë”, kërkojmë nga ana juaj verifikimin e plotë të të dhënave të deklaruara në Formularin e Vetëdeklarimit nga subjekti Aqif Kahraman Rakipi, me detyrë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Aqif Rakipi, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo kërkesë e jona, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të ligjit 138/2015.
Në pritje të dhënies rrugë të kësaj kërkese në përputhje me ligjin”, thuhet në kërkesën e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së.

deputetet-me-te-shkuar-kriminale

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb