TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministri Edi Rama sa i takon luftës kundër lëndëve narkotike. Në një dalje publike para mediave, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj theksoi se pa dashje, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka hedhur poshtë deklaratat e Ramës se në Shqipëri nuk ka drogë. Dje ‘News24’ publikoi pamje të xhiruara nga ajri të sipërfaqeve të mbjella në një terren të thepisur malor në zonën e “Malit me Gropa” në afërsi të poligonit të Bizës në Martanesh.

DEKLARATA E PD
“Ajo ka ftuar gazetarë të televizioneve për të ndjekur një stërvitje ushtarake në Bize të Martaneshit, dhe sapo helikopteri është ngritur, para përfaqësuesve të medias janë shfaqur parcelat me kanabis anekënd malësisë së Tiranës. Këto janë provat e fundit me pamje, me video, e me foto, që kanabisi ka pushtuar vendin. Mjafton një ngritje rutinë në ajër, për të parë si lulëzon alternativa e Edi Ramës për vendin, droga.

Pamjet e filmuara janë publikuar në media, e megjithatë, sërish Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë. Droga ka pushtuar vendin, ka zënë shtëpitë, magazinat, trafikohet nga toka, ajri, nga deti, mediat italiane dhe më gjerë raportojnë çdo ditë për këtë alarm që sjell kanabisi shqiptar, ndërsa Edi Rama thotë se Shqipëria është e pastër. Shqiptarët e dinë se droga i ka rrënjët në qeveri. Shqiptarët e dinë se droga po rrënon vendin, po sjell krime dhe vrasje, dhe po pasuron një grusht trafikantësh dhe qeveritarët e lidhur me ta. Droga dhe plehrat janë alternativa e vetme e Edi Ramës për Shqipërinë.
Ndaj dhe Shqipëria pa Edi Ramën është një Shqipëri pa plehra dhe pa drogë.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: