TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për hidrocentralin e Skavicës, pasi një ditë më parë u rrëzua një nga projektet e kopmanisë konsulente për ndërtimin e një dige me lartësi 441 metra.

Në një deklaratë për mediat, demokrati Enno Bozdo tha se pas denoncimeve të vazhdueshme të PD-së për Skavicë, ‘Rama u detyrua të pranojë aferën korruptive me këtë hidrocentral’.

“E jithë procedura e marrjes ne konsiderate të studimit të kompanisë Syzer dhe dhënia e bonusit kësaj kompanie, pa transparencë por si rezultat i bisedimeve sekrete, del qarte që është një korrupsion i pastër. Përse Rama pranoi, dhe i dha bonus studimit të Syzer mbi Skavicen, duke e paracaktuar si fituese, kur kishte ne dispozicion një studim profesional që prej vitit 2009?

Përse qeveria detyrohet tashme të pranojë se ekziston një studim i tillë, kur e kishte dhe e mbajti të fshehur, për të vazhduar me aferën e saj? Si është e mundur që Rama pranoi një ofertë nga kompania Syzer, ndërsa studimi i plotë për Skavicen ishte ne sirtarin e ministrit Gjiknuri? A e dinte Rama se Gjiknuri kishte ne dispozicion nje studim te mirefillte? Nqs po, perse ndermorri bisedime te fshehta me Syzer?”, thuhet në deklaratën e PD.

Por pas këtyre akuzave ka reaguar Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila i quan këto deklaratë “qesharake dhe spekulime” mbi çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Drinit të Zi.


DEKLARATA E PLOTE E ENNO BOZDOS

Të kapur në mashtrim, paligjshmëri e korrupsion me aferën Skavica, qeveritarët kundërshtojnë njëri tjetrin, ose më sakte njëra palë i kundërvihet palës tjetër. Dje Gjiknuri doli kundër Rames. Opinioni publik e pa qartë aferën korruptive që kjo qeveri donte të ndërmerrte me Skavicen, pasurinë më të madhe të shqiptarëve. Si rezultat i denoncimeve të Partisë Demokratike dhe presionit publik, qeveria u tërhoq dhe pranoi më në fund se ajo ka në dispozicion një studim profesionist të vitit 2009.

Ky studim percakton qartë cili është opsioni më i mirë për të ndërtuar Skavicen, në dobi të interesit publik. Në këto kushte, e gjithë procedura e marrjes ne konsiderate të studimit të kompanisë Syzer dhe dhënia e bonusit kësaj kompanie, pa transparencë por si rezultat i bisedimeve sekrete, del qarte që është një korrupsion i pastër.

Përse Rama pranoi, dhe i dha bonus studimit të Syzer mbi Skavicen, duke e paracaktuar si fituese, kur kishte ne dispozicion një studim profesional që prej vitit 2009?

Përse qeveria detyrohet tashme të pranojë se ekziston një studim i tillë, kur e kishte dhe e mbajti të fshehur, për të vazhduar me aferën e saj?

Si është e mundur që Rama pranoi një ofertë nga kompania Syzer, ndërsa studimi i plotë për Skavicen ishte ne sirtarin e ministrit Gjiknuri?

A e dinte Rama se Gjiknuri kishte ne dispozicion nje studim te mirefillte? Nqs po, perse ndermorri bisedime te fshehta me Syzer?

A e dinte Rama se eshte e paligjshme te pranosh nje propozim të pakërkuar, kur qeveria ka në dispozicion një studim të mirefillte?

Ne këto kushte, Partia Demokratike kërkon të shfuqizohet Vendimi që i ka dhënë bonus prej 8 pikesh klompanise Syzer. Kerkojmë një hetim administrativ të mirëfillte, për të zbardhur këtë aferë korruptive. Ministri Gjiknuri duhet të mbaje përgjegjësi për fshehjen e studimit mbi Skavicën. Asnjë pazar me Skavicën nuk do të pranohet. Skavica është dhe do te mbetet pasuri publike.

REAGIMI I MINISTRISE SE ENERGJISE DHE INDUSTRISE
Përmes një deklarate qesharake, Partia Demokratike vazhdoi edhe sot spekulimet mbi çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Drinit të Zi.

Që në reagimin e parë publik ndaj spekulimeve të Partisë Demokratike (5 Janar 2016), Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka kujtuar partisë kryesore të opozitës se pikërisht në kohën kur ajo ishte në pushtet është kryer studimi i studios franceze Sogreah me financimin e Bankës Botërore dhe për llogari të shtetit shqiptar. (http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/projekti-i-skavices-mei-pd-shpif-ja-e-verteta-e-procedurave)

Në misionin e saj për të keqinformuar qëllimshëm opinionin publik, nuk është e papritur që sot Partia Demokratike bën të pa diturën. Rëndom ndodh që kjo forcë politike nuk lexon sqarimet e institucioneve shtetërore dhe as nuk kërkon informacion.

Me synimin informimin e opinionit publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se studimi i studios Sogrea i vitit 2009 është pronë e qeverisë shqiptare. Ky studim jep rekomandime mbi skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialeve ujore. Konkretisht, për rastin e Drinit të Zi, sikurse është bërë publike, studimi jep disa variante dhe impaktet social-mjedisore që mund të sjellin.

Studimi konsideron të financueshme skemat me dy hidrocentrale, përkatësisht Katund i Ri dhe Skavica. Qeveria shqiptare ka filluar përpjekjet për të gjetur format e financimit që Skavica të mund të ndërtohet prej Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Për rastin e HEC-it Katund i Ri, bazuar në ligjin 125/2013 “Për koncesionet dhe PPP”,

bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” kanë dorëzuar tek qeveria shqiptare propozimin e pakërkuar për ndërtimin e HEC Katund i Ri.

Studimi i Sogreas përfaqëson skemë shfrytëzimi në tërësi për të gjithë Drinin e Zi. Bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” kanë depozituar një propozim të pakërkuar që përmban studim të detajuar inxhinierik dhe fizibiliteti ekonomik, përfshirë

mos detyrimin e shtetit për të garantuar blerjen e energjisë së prodhuar. Studim ky i cili tanimë konsiderohet gjithashtu pronë e shtetit shqiptar dhe mund të përdoret prej tij edhe në rastin kur gara për këtë procedurë mund të mos dalë me sukses.

Bazuar në ligj, përmes vendimit, Nr.1068, datë 23.12.2015, Qeveria ka vlerësuar projektin e specifikuar, paraqitur nga bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” për ndërtimin vetëm të “HEC Katund i Ri”, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë po vijon me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në ligj. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese (ToR), publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.

Me hapjen e garës, e cila do të jetë plotësisht transparente, çdo kompani e interesuar do të mund të konkurrojë për të fituar të drejtën e ndërtimit të kësaj vepre energjitike. Edhe kjo procedurë do të asistohet nga konsulenca ndërkombëtare e kontraktuar nga BERZH.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: