TIRANË- Menjëherë pas takimit që zhvilloi kryeministri Rama me përfaqësues të klerit dhe mediave ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses për shtyp Oriela Nebiaj e cila dënoi propagandën boshe të kryeministrit mbi lirinë e shprehjes.

Sipas selisë blu Edi Rama shpenzoi më shumë se një orë me tjerrje fjalësh, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar kërcënimet me jetë të fjalës së lirë, përfaqësuesve të opozitës e kreut të saj.

“Fjalë dhe vetëm fjalë, vijnë nga Edi Rama, i cili shpenzoi më shumë se një orë me një propagandë që është krejt e kundërta e akteve të tij konkrete, e sjelljes së tij në realitet, e kursit që ndjek. Më shumë se një orë predikoi lirinë e shprehjes, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar apo për t’u distancuar nga kërcënimi që i është bërë kryetarit të opozitës, pikërisht për fjalën”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Më tej në deklaratën e PD renditen kërcënimet fizike të deputetëve të djathtë për organizimin e të cilave akuzohet kryeministri i Rama.

“Predikon lirinë e shprehjes ndërkohë që përgënjeshtron vetën e tij në çdo hap që hedh.
Edi Rama është ai që organizoi goditjen fizike ndaj deputetit të opozitës, pikërisht ngaqë nuk përballon lirinë e shprehjes. Është ai që frymëzon kërcënimin me jetë të përfaqësuesve të opozitës, sepse ai nuk e duron dot lirinë e shprehjes”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.

PD akuzon kryeministrin se ka sjellë në administratë, zyra e deri në parlament, persona të inkriminuar, ata që janë errësira, e kundërta e lirisë së shprehjes.
“Ndaj Edi Rama ofron lehtësi e favore qeveritare për banditë të cilët lirinë që e kanë të sigurta nga qeveria, e shfrytëzojnë për të kërcënuar fjalën e lirë.
Me Edi Ramën liria e të shprehurit po zëvendësohet nga presioni i gjithanshëm ndaj mediave, zërave kritikë e shoqërisë civile”, vijon më tej deklarata.

Sipas PD, pikërisht sot në ditën e predikimit të tij të gjatë u dhunua një gazetar investigues vetëm 50 metra larg dyerve të komisariatit.

Këto, për Partinë Demokratike, janë ngjarje që lidhen direkt me përgjegjësinë e Edi Ramës, e për të cilat ai nuk mban asnjë përgjegjësi.

“Propaganda dhe tjerrja pa fund e fjalëve për tema të tjera, janë një kostum që i rri shumë gjerë kryeministrit tonë, dhe janë një përpjekje e dëshpëruar për t’u fshehur nga realiteti i zymtë e lirisë së shprehjes që ai ka krijuar.
Ndaj sa herë që Edi Rama të flasë për lirinë e të shprehurit, është e sigurt audienca e telenovelave të pasdites. Ai nuk bind më askënd dhe qytetarët nuk harxhojnë asnjë dakikë të jetës së tyre plot halle për retoriken boshe e të tejfryrë të kryeministrit”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: