Kryeministri Edi Rama, ripërsëriti edhe njëherë vendimin për mos ndryshimin e taksës për bizneset e mëdha.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë, kryeministri tha se është i parimit se kush fiton më shumë paguan më shumë, e kush fiton më pak paguan më pak.

Por ai shtoi se biznesit të madh do i krijohen mundësi që lidhen me sigurinë e punës, kushtet dhe konkurrencën.

“Tek ju jemi ndryshe, nuk ju premtojmë ulje të taksës, ai ua premton. Taksa e sheshtë është në favorit ë atyre që kanë më shumë për hir të së vërtetës. Nëse do të ishte vetëm kaq marrëdhënia me qeverinë, ne do të ishim në disavantazh me ju, ne ju marrim 15% ata 9%. Po kjo e ka bishtin mbrapa, sepse është parapagim, por ka dhe gjëra mbrapa që lidhen me keqqeverisjen. Nuk është gjeneratë tjetër, të gjithë këta që janë sot, janë ata që janë shquar si ushtarë të komandantit legjendarë të tyre. Kush do të kthehet me karikaturat e komandantit, është si fabrika e djathit që prodhon më shumë me pak qumësht. Për biznesin e madh është e rëndësishme që të ketë të gjitha garancitë dhe sigurinë në punë, rimbursimin e TVSH në kohë, të ketë një marrëdhënie me shtetin ku taksitarët nuk vijnë të rrisin stresin e punës. Të ketë mundësi në rastet kur konkurron për fonde publike të ketë garanci, të ketë transparencë në konkurrencë, ndërsa në fushën e konkurrencës në atë zonë të sektorit privat ku punon, të ketë ndershmëri. Faktikisht nëse sot biznesi i madh nuk është në një ndjesi që këtu duhet patjetër të ndryshojmë qeverinë kjo tregon shumë. Më e rëndësishme është që sado biznes të madh të bësh, nëse je i rrethuar nga një mjedis, atmosferë kur njerëzit nuk ndihen mirë, rritjet e kushteve të biznesit janë më të kufizuara se sa gjërat rreth e rrotull zgjerohen dhe marrin një pamje tjetër. Ne e kemi vijë ndarëse me palën tjetër, kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak. Nuk besoj që taksa e sotme është e rëndë, është një taksë e ndershme, 15% e të gjithëve njësoj është e ndershme. Ne do të bëjmë çmos që në të gjitha ato që të thash të ketë përmirësime”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb