TIRANE- Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se janë 400 zona të mbjella me drogë në të gjithë vendin. “Shërbimet inteligjente partnere kanë raportuar se 15 përqind e territorit shfrytëzohet për drogë, në afërsisht 400 zona në gjithë vendin”,- tha Alibeaj.

Ai publikoi edhe emra të drejtuesve të policisë të lidhur me trafikun e drogës.

“Partia Demokratike ka denoncuar drejtuesit kryesorë të Edi Ramës në Policinë e Shtetit, që janë dhe drejtues të trafikut të drogës. Sot kemi të tjera të dhëna, për funksionarë kyc në këtë biznes kriminal. Qerim Aliaj, Drejtor i Kufirit në Shkodër. I implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike përmes kalimit në Malin e Zi. Më parë, kur ishte drejtor kufiri në Gjirokastër organizonte kalimin e drogës në Greqi. Në tre raste të kapjes së sasive të mëdha të kanabisit në vendin fqinj, Aliaj ka mbyllur cështjen duke mos kryer asnjë verim hetimor. Gëzim Zhupa, Drejtor i kufirit Vlorë. Lidhje e ngushtë e Tahirit. Hallke kyce ne kalimin e tonelatave me droge në Itali me peshkarexha. Sokol Çelaj, Drejtor Rajonal i Kufirit Vlorë, i përjashtuar nga policia në vitin 2002. Me rikthimin në vitin 2013 në Polici, konkretisht në Vlorë, është drejtuesi kryesor për trafikimin e lëndëve narkotike të forta kokainë dhe heroinë në bashkëpunim me Albert Paten, ish-Drejtor i Njësisë Operacionale. Informacione këto të konfirmuara nga autoritetet partnere. Albert Pata, me Edi Ramen u emërua Drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale. Informacionet e shërbimeve partnere e nxjerrin të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë dhe Greqisë”,- tha Alibeaj.

“Artion Duka, Drejtor i Forcës së Posacme Operacionale. Eshtë implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike. Lidhje e drejtpërdrejtë e Emiljano Shullazit, ka të dhëna të besueshme se ka manipuluar provat në ngjarjen e Kasharit dhe Rrugën e Kavajës. Ermal Muça, Zv/Drejtor i Policisë Tiranë, emërim i Emiljano Shullazit. Arben Skëndo, Drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA-së. I përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim me Ervin Hodaj. Eshtë kujdesur në rekrutimet që bën, të ketë persona të përshtatshëm për trafikun e drogës. Taulant Kondi, Zv/drejtor i Përgjithshëm i Antikontrabandës. Lidhje e ngushtë e Tahirit dhe Shullazit. I perfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Genc Merepeza, Zv/Drejtor i Përgjithshëm për Kufirin dhe Emigracionin. Rezulton i implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike në kufirin e gjelbër dhe në Pikat e Kalimit Kufitar. Për këtë, ka krijuar klanin e tij në disa pika doganore.Zija Çela, shef i Komisariatit në Korcë. Me kombinime të ngushta me Drejtorin e kufirit në Durrës, Boge Bodini, kanë favorizuar kalimin e droges drejt Italisë.
Ky është realiteti i drogës, i këtij biznesi qindra milionë eurosh që po pasuron një grusht njerëzish rreth Edi Ramës, dhe po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon cdo aset të vendit, po shfrytëzon mjerimin e varfërinë e të papunëve, po sjell krime, vrasje e hasmëri në shoqërinë tonë.
Nuk është kjo Shqipëria që duan shqiptarët. Shqiptarët duan punë të ndershme, rend e siguri për famijlet e tyre”,- perfundoi ai denoncimin.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: