TIRANE-  Ashtu siç edhe paralajmëroi kreu i opozitës, Lulzim Basha, Partia Demokratike ka publikuar një video nga fshati Gusmar i Tepelenës ku duken mijëra bimë kanabisi të mbjella. Sekretari për Aksionin Qytetar, Salianji, sjell denoncimin direkt nga parcelat e drogës, sipas tij në vendlindjen e Ministrit të Brendshëm

“Mjafton një udhëtim 20 minuta larg aksit kombëtar në rrethinat e Tepelenës për të parë se si lulëzon biznesi kriminal i drogës që drejtohet nga Edi Rama, përmes të licencuarit të tij Saimir Tahiri. Plantacionet me hashash në zonat e Tepelenës, kryesisht në Gusmar që është vendlindja e Saimir Tahirit dhe shumë drejtuesve të policisë, tregojnë realitetin e kanabizimit të vendit, një realitet dramatik për Shqipërinë, që Edi Rama mundohet ta mohojë. Në fillim, garda e parë e kanabisit janë postblloqet e policisë, më pas kalon 2 ose 3 postblloqe me banditë të armatosur deri në fyt, që qëndrojnë në makina superluksoze”, deklaron Salianji.

PD bën të ditur se Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji arriti të shkelë në këto parcela kanabisi dhe denoncoi në vendngjarje ‘këtë biznes kriminal që sjell miliona euro përfitime për bandat e Edi Ramës, e për atë vetë që përmes skemës kriminale merr 30 përqindëshin, biznes qe rritet mbi mjerimin e fshatarëve të zonave, që shfrytëzohen me 10 ose 20 mijë lekë të vjetra në ditë’.

“Pas qindra denoncimeve me foto dhe video të bëra nga Partia Demokratike dhe të përgënjeshtruara me turp nga ministri i Brendshëm dhe Kryeministri, sot jam në emër të Partisë Demokratike për tu treguar edhe njëherë tjetër se sa lehtësisht gjenden këto dëshmi tronditëse të mbjelljes së Shqipërisë me drogë, me kanabis sativa. Drogë e cila mbillet me bekimin e ministrit të Brendshëm, me marrjen e 30 përqindëshit për çdo rrënjë nga ana e drejtuesve të policisë, para që shkojnë drejtpërdrejtë tek Saimir Tahiri, tek Edi Rama. Kjo është një dëshmi tjetër se si sovraniteti i shtetit është dorëzuar në celula trafikante, të cilët shfrytëzojnë një popull të mjerë, një popull të lënë në mjerim e varfëri nga kjo qeveri, për t’u përdorur për mbjellje droge. Kjo nuk kërkon ligj të ri por kërkon vetëm vullnet politik. Kjo kërkon vetëm çmontim të bandave në qeverisje. Kjo kërkon vetëm çmontim të krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit të lidhur me krimin. Koha e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit ka mbaruar”, tha Salianji.

Më herët kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se “këto prova tronditëse” flasin për biznesin e drogës që sjell miliona euro për Ramën dhe bandat e tij.

“Pas pak denoncim me fakte dhe prova tronditëse nga Partia Demokratike për biznesin e drogës që ngrihet mbi mjerimin e fshatareve të varfër dhe sjell miliona euro për Ramën dhe bandat e tij. Deshmi me video e foto nga vendlindja e kryeqehajait të Edi Ramës për narkotrafikun”, thuhet në deklaratën e kreut të PD.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb