Nga: Erjola Jata*
TIRANE- Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Roland Keta, ka akuzuar Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja se i “kanë hapur dyert ilaçeve të dyshimta e të skaduara, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, por duke ndërtuar gjithashtu një biznes me fitime marramendëse.

“Ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian. Kjo garanci për pacientët shqiptarë, është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqës, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij. Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë përpjekje kriminale të Ramës dhe Beqajt, dhe fton qytetarët të reagojnë të mbrojnë shëndetin e tyre. Të mos lejojnë këmbimin e shëndetit me biznesin e ilaçeve të Ramës dhe Beqës”,- tha Keta.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zv.ministres së Shëndetësisë Milva Ekonomi, e cila i rikujton Partisë Demokratike se keqqeverisja e tyre me barnat që nga vitit 2010 u ka lënë borxh shqiptarëve 280 mln usd dhe se ndryshimet që po diskutohen për ligjin e barnave nuk cënon sigurinë e barnave.

“Qeverisja e PD-së, që nga viti 2010 ku rezulton se ka pasur dijeni të plotë për këtë situatë, i ka borxh shqiptarëve 280 milionë dollarë. Këto dhe shumë të tjera, janë pyetje që duhet t’i përgjigjet Partia Demokratike dhe jo ndryshimit të projektligjit të barnave që po diskutohet në komisionet parlamentare, i cili ndryshe nga sa mund të pretendohet, nuk cënon sigurinë e barnave. Së pari, konfirmojmë se ndryshimet e propozuara ligjore bëhen për të vendosur zbatimin e plotë të detyrimeve që Shqipëria ka nga marrëveshje ndërkombëtare, dhe konkretisht, nga marrëveshja e CEFTA-s. Dispozita e vendosur në Kuvendin e Shqipërisë në korrik të vitit 2014 për barnat me origjinë nga vendet e Ballkanit është vlerësuar se vendos barriera jotarifore për qarkullimin e barnave nga vendet e Ballkanit në Shqipëri”.

Sakaq, Ekonomi theksoi se në Shqipëri kanë qarkulluar deri vjet rreth 300 barna me origjinë nga vendet e Ballkanit. Sipas saj, ndryshimet e propozuara përcaktojnë se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit, por me kushtin që të jenë të regjistruara dhe të qarkullojnë në vendin e origjinës.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: