Partia Demokratike përmes deputetes, Albana Vokshi ka denoncuar kryeministrin, Edi Rama se po tenton të censurojë përmes gjobave mediat dhe portalet që zbulojnë aferat korruptive të qeverisë.

Vokshi u shpreh se dy projektligjet e komunikimit nuk janë gjë tjetër veçse një plan i Ramës, për të censuruar mediat.

Vokshi, si kryetare e Komisionit të Edukimit të Medias, ndër të tjera denoncoi edhe shkarkimin e një prej përfaqësuesve të opozitës në AMA, duke e cilësuar si një përpjekje për kapjen e saj.

“Dy projektligjet e qeverisë që kërcënojnë me mbyllje dhe me gjoba milionëshe portalet online janë plani i Edi Ramës për kufizimin e lirisë së medias në Shqipëri dhe kontrollin e plotë prej tij të çdo burimi informacioni në vend.

Fuqizimi i portaleve dhe shndërrimi i tyre në një mjet të rëndësishëm për informimin e publikut në mënyrë të pavarur nga qeveria, po i rrezikon Edi Ramës investimin e tij më të madh 20 vjeçar në politikë: propagandën nëpërmjet kontrollit të medias kryesore tradicionale në vend.

Me ndryshimet e propozuara, arkitekti i shpifjes dhe i mashtrimit, Edi Rama, ka urdhëruar ndërhyrjen në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe në Ligjin për Median Audiovizive në mënyrë që të kontrollojë, gjobisë apo të mbyllë portalet kritike, ato që i zbulojnë aferat korruptive dhe lidhjet me bandat kriminale. Nëpërmjet shtimit të funksioneve të AMA dhe AKEP, Rama po kërkon që, ato të shndërrohen në institucionet që përgjojnë, gjobitin gazetarët dhe mbyllin mediat kritike online. Kjo paketë e censurës mediatike, është arsyeja që Rama po bën cdo përpjekje të kapë edhe Bordin e AMA-s duke shkarkuar në mënyrë antiligjore një nga anëtarët përfaqësues të opozitës në të”, u shpreh Vokshi.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb