TIRANE- Partia Demokratike ka vijuar sot akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për aferën “Skavica”. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, tha se kreu i Qeverisë e ka konfirmuar këtë aferë me deklaratën e djeshme të ministrit Gjiknuri.

Duma tha se sipas kësaj deklarate, “investitorit të Ahmetajt, i janë dhënë 8 pikë bonus, çka do të thotë se ai është paracaktuar si fitues”.

Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma

Edi Rama e konfirmoi dje me deklaratën e Gjiknurit aferën Skavica. Ministri i energjitikës pohoi se “investitorit” të Ahmetaj, i janë dhënë 8 pikë bonus, çka do të thotë se ai është paracaktuar si fitues.

Rama duhet ta ndajë mendjen, cili nga ministrat gënjen, Ahmetaj që pranon se investitori është caktuar, apo Gjiknuri i cili mohon Ahmetajn por thotë që investitorit i ka dhënë bonusit maksimal.

Në fillim, kur Partia Demokratike paralajmëroi këtë negociatë të dyshimtë, Edi Rama e mohoi.

Më pas, Ahmetaj deklaroi se Skavicën ia kanë dhënë kompanisë turke, kuptohet pa garë, në fshehtësi.

Ja prononcimi i Ahmetajt; ”Më thoni një emër që është larguar?! Ju them unë një që ka ardhur. Skavica. Suzer & Nurol Group”.

Damiani tenton të hedhë poshtë Ahmetajn, duke iu referuar një vendimi qeverie që nuk gjendet i publikuar në faqen zyrtarë të qeverisë.

Nëse kërkon vendimet e qeverisë së datës 23 dhjetor që i referohet ministri i energjitikës, nuk ka vendim, për Skavicën.

Që do të thotë se ose Gjiknuri gënjen, ose vendimi për Skavicën është mbajtur sekret. Dhe nëse është mbajtur sekret, pse është mbajtur sekret?

Kaskada e mashtrimeve me aferën Skavica konfirmon rrezikun që kanoset nga babëzia e Ramës dhe ministrave të tij për të vjedhur pasuritë kombëtare duke i trajtuar si plaçkë të tyren, pa garë e pa transparencë.

Pazare me pasuritë publike që nisin me vizitat private të Ramës e përfundojnë me kontrata dhe tendera korruptivë.

Siç u ka dhënë miqve të tij koncensionet në shëndetësi, siç jep tenderat dhe u ngre traun e doganës, siç negocioi fshehtas vjedhjen e shekullit, aferën CEZ ku iu mori shqiptarëve 600 milionë euro nga xhepat dhe taksat e tyre.

Dhe nuk është aspak çudi që këto ditë të rënda për vendin, një tjetër aferë të jetë duke u gatuar në Majami, atje ku Edi Rama po kryen vizitën e luksit të radhës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: