TIRANË- “Edi Rama gjatë një vizite dy ditore në Jug të vendit, ka tentuar t’u shesë banorëve të bregut një mall të prishur, që askush nuk e blen më”. Kështu ka deklaruar Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj, Ina Zhupa, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në disa qytete në jug. Zhupa tha sot se Koço Kokëdhima pasi ka marrë në dorë çdo vend pune, çdo tokë e trual po bëhet gati të fusë në kthetra kalanë e Porto Palermos.

“Qytetaret e Jugut, të Fierit, të Vlorës, Sarandës, e më gjerë e dinë se propaganda e Ramës është një tallje e tipit, ‘biri im’, pasi e vërteta është se qeveria e tij, në jetën e tyre, në lagjen e tyre, ka vetëm një kuptim; Si të pasurohet më shumë Koço Kokëdhima. Pasi ka shtënë në dorë çdo vend pune, çdo tender, çdo licensë, çdo tokë e truall, çdo plazh, çdo burim fitimi, me dekret të posaçëm të Edi Ramës, Koço po bëhet gati të fusë në kthetra dhe kalanë e Porto Palermos, dhe kjo është arsyeja pse ministria e kulturës vendosi ti japë me qira këto objekte të trashëgimisë kulturore”, deklaroi zëdhënësja e PD.
Sipas saj, në mbarë vendin qytetarët janë të revoltuar për korrupsionin, hajdutërinë e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij.
“Por në veçanti, më i urryeri nga të gjithë, të majtë e të djathtë e të paparti, mbetet Kokëdhima i Ramës, për babëzinë që ka shfaqur, për të pasur një dorë kudo, nga pastrueset e deri tek ministritë, gjithnjë duke ndjekur pasurimin e tij të pafre”, tha ajo.
PD deklaron se Rama dhe Kokëdhima do lëciten si heronjtë e korrupsionit dhe vjedhjes. “Qytetarët e dinë dhe e shohin atë çfarë po ndodh. Dhe shumë më shpejt nga sa e mendojnë ata, Rama dhe Kokëdhima do lëciten tek lapidari i Vunoit si heronjtë e korrupsionit e vjedhjes më të madhe që dikush i ka bërë vendit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb