Partia Demokratike ka mbështetur banorët e Alliasit në Tiranë, të cilët sipas saj ankohen prej muajsh për shkak të lojërave të Bashkisë me devijimin e projektit të rrugëve në këtë zonë çka u ka përkeqësuar jetën.

Banorët thonë se prej dy muajsh është tejkaluar afati i punimeve, shtrimit të tubacioneve dhe asfaltimit. Sipas tyre, projekti i miratuar 2 vite më parë është ndryshuar për shkaqe korruptive. Ata kanë kërkuar dëgjesë me kryetarin e bashkisë Erjon Veliaj, por nuk janë pritur dhe as nuk kanë mundur të ankohen për kushtet mesjetare në të cilat jetojnë, në zemër të kryeqytetit. Sekretari i Aksionit Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji i takoi banorët, ku dëgjoi nga afër shqetësimin e tyre.

“Projekti i zgjerimit të rrugës ishte 11 metra, është bërë 9. Këto janë bërë për interesa të firmës. Duam që projekti të zbatohet me cilësinë e përcaktuar më parë”, shprehet një banor.

“Kemi kohë që e presim këtë projekt, jo vetëm sot. Ky projekt që është ndryshuar nuk i sjell të mira askujt në këtë komunitet. S’jemi dakord. Më mirë ta lënë pa bërë”, ankohet një qytetar i zonës.

“Po hidhen para kot dhe nuk pyeten qytetaret nga askush. Nuk hidhen për komunitetin, të hapet, të zgjerohet e të shtrohet rruga por kërkojnë që të vjedhin. Ju keni kërkuar me peticion që t’ju dëgjojnë. Nuk ju dëgjon njeri. Përveç kësaj ju thoni se ju kërkojnë para për të prishur avllitë tuaja, ndërkohë që është detyrë e tyre të sistemojnë rrugën”, shprehet Salianji.

Në këtë lagje te madhe të Tiranës jetojnë 1 mijë familje të cilët kërkojnë vetëm zbatimin e projektit përpara fillimit të dimrit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb