TIRANE- Partia Demokratike ka dalë sot në mbrojtje të banorëve në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, të cilëve u është ndërprerë energjia elektrike. Koordinatori i PD-së, Ervin Salianji, ka shkuar pranë banorëve nga ku ka dënuar trajtimin ndëshkues të qeverisë. Salianji ka kërkuar futjen e banorëve debitorë në sistem, por me këste të ulëta mujore të mundshme për gjëndjen e tyre të rënduar ekonomike

“Dhjetëra banorë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë, gjenden prej javësh në errësirë, për shkak se janë përballur me fatura abuzive dhe aforfe, që nuk kanë pasur mundësi të paguajnë. Një prej këtyre familjeve, me asnjë të punësuar, është faturuar për muajin qershor, me 1 milionë e 500 mijë lekë. Qeveria nuk i dëgjon shqetësimet e banorëve dhe nuk jep shpjegime për këto mbifaturime abuzive. E vetmja masë që merr qeveria, është ndërprerja e dritave, duke lënë të moshuar, prindër, fëmijë e nxënës, në errësirë prej javësh”, ka thënë Salianji.

Banorët janë ankuar për trajtim preferencial dhe selektiv nga autoritetet, duke akuzuar se dikush lihet në errësirë, ndërsa dikujt tjetër që është pranë qeverisë nuk i preken dritat. Ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë energjinë, por duhet ta shlyejnë me këste të ulëta mujore.

“Siç dëshmohet nga qytetarët, nga banorët e njësisë 7 në Tiranë, prerjet e energjisë elektrike janë selektive. Kanë ardhur dhe kanë prerë energjinë tek njerëz që janë të pamundur, që nuk kanë krah qeveritar, të njerëzve të cilëve ua kanë blerë votën në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe tani nuk japin asnjë llogari”, tha koordinatori i Partisë Demokratike për denoncimet, Ervin Salianji i cili takoi banorët e lagjes.

Për Salianjin duhet krijuar mundësia që të gjithë qytetarët të paguajnë, por duhet gjetur mekanizmi stimulues, e jo ndëshkues. “Ne inkurajojmë qeverinë që të formalizojë dhe të fusë në sistem të gjithë qytetarët që të paguajnë energjinë. Qeveria duhet tu lerë një mundësi tjetër që pagesën ta bëjnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj dhe pjesën tjetër, atë që konsumojnë, ta paguajnë me faturën që vjen dhe jo me faturim aforfe. Një zgjidhje e pranueshme edhe për qytetarët edhe për qeverinë për ta formalizuar dhe për t’i futur në sistem ata që ajo i quan debitorë, dhe qindra debitorë të tjerë që i toleron sepse janë klientë dhe votuesit e saj”, u shpreh Salianji.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: