SARANDË- Partia Demokratike e Sarandës denoncoi sot mungesën e ujit të pijshëm, sipas tyre si asnjëherë më parë. Kryetarit i PD Sarandë, Hariz Mema tha se oraret e furnizimit janë kufizuar ndjeshëm deri në minimum, ndërkohë që ka raste të njëpasnjëshme kur raportohet se uji mungon prej ditësh në rubineta.

“Në kulm të sezonit turistik, qyteti i Sarandës, qyteza e Ksamilit dhe rrethinat po vuajnë si asnjëherë më parë mungesën e ujit të pijshëm. Situata skandaloze raportohet në të katër anët e Bashkisë Sarandë, nga familjarë e biznese. Situata më problematike paraqitet në lagjen nr.4 të qytetit, ku qytetarët thonë se janë detyruar të blejnë ujë nga botet private, ndërkohë që në lagjet e tjera, oraret janë kufizuar ndjeshëm duke detyruar qytetarët të kursejnë gjumin për të mbushur ujë në ato pak minuta kur ai vjen në orët e para të mëngjesit”, tha Mema.

Sipas tij, situatë problematike paraqitet edhe në fshatin Gjashtë, ku qytetarët vuajnë mungesën e ujit për ditë me radhë e me pas gënjehen me vetëm 20 minuta furnizim.

“Po ashtu, në Ksamil, i cili po përballon ditët e fundit një fluks në rritje të pushuesve, hotelierët detyrohen të blejnë ujë nga privati, për shkak se furnizimi është i pamjaftueshëm. Ankesat në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime sh.a, të përcjella nga qytetarët edhe përmes medias, duket se kanë rënë në vesh të shurdhër e tashmë janë autobotet ato qe kanë nisur punën si ndërmarrje, duke përfituar nga kjo papërgjegjshmëri e atyre që dje premtonin shumë e sot fshihen pas gishtit te tyre!”, deklaroi kreu i PD, Sarandë.

Ai shtoi më tej se përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Sarandës, kërkuan interpelancë të drejtuesve të Ujësjellësit në lidhje me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm, por përgjigja e tyre ishte thjesht arrogante, me mosprezencë në mbledhjen e datës 28 korrik, duke lënë jo vetëm ne, por edhe qytetarët pa një përgjigje.

“Partia Demokratike dega Sarandë, i bën thirrje drejtuesve të Bashkisë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime sh.a, të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e plotë të kësaj situate, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm të familjeve dhe bizneseve të Bashkisë Sarandë, me orare më të gjata dhe më të favorshme, pasi kjo padyshim nuk është pamja më e mirë që mund të serviri Saranda në kulm të sezonit turistik”, përfundoi Mema.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb