TIRANE– Ngjarja e rëndë që ndodhi në maternitetin “Koço Glozheni” në Tiranë, ku një 35-vjeçare humbi jetën bashkë me fëmijën që mbante ende në bark, ka shkaktuar debate dhe akuza mes opozitës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, thotë se shëndetësia në ven nuk funksionon, por sipas saj, “ajo të merr jetën”.

Zhupa tha se as kryeministri Edi Rama, dhe as ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, nuk kanë reaguar për këtë ngjarje, duke u shprehur se “Të dy janë fajtorët për gjendjen katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, që siç do ditë edhe në rastin më të fundit, të tragjedisë së sotme, s’kishte mjetet e instrumentet bazike, si oksigjeni”.

DEKLARATA E PLOTE
Partia Demokratike është e tronditur nga humbja e jetës së nënës së re Aida Cajka dhe foshnjës së saj, në dyert e shëndetësisë së Edi Ramës dhe Ilir Beqës.

Ne gjendemi sot në krah të familjarëve për humbjen e thellë që kanë pësuar, por duam po ashtu të ndajmë shqetësimin e mbarë shoqërisë se shëndetësia e Edi Ramës dhe Ilir Beqës, nuk funksionon, por të merr jetën.

Partia Demokratike ka pritur sot që Ilir Beqaj të shfaqej, të nxirrte krye sepse humbja e dy jetëve është nga ngjarjet më të rënda.

Po kjo nuk ndodhi, pasi me siguri, Beqaj është duke kalkuluar diku përfitimet e ndonjë tenderi apo koncesioni.
As Edi Rama nuk reagon, hesht.

Të dy janë fajtorët për gjendjen katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, që siç do ditë edhe në rastin më të fundit, të tragjedisë së sotme, s’kishte mjetet e instrumentet bazike, si oksigjeni.

Ndërkohë që Ilir Beqaj dhe Edi Rama kanë ndarë me miq e klientë mbi 300 milionë euro koncesione në shëndetësi, urgjenca gjendet e mbyllur, dhe siç dëshmojnë familjarët e Aidës, ambulanca vonon, është jashtë çdo standardi, dhe ata sorollaten sa nga njëri spital në tjetrin përgjatë gjithë natës.

Partia Demokratike inkurajon prokurorinë të bëjë hetim për rastin, zbardhje të plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive.

Ndërsa shqiptarët duhet të ngrihen e të ndëshkojnë përgjegjësit e dramës së madhe të shëndetësisë, që nuk i shërben qytetarëve, por pasurimit të Ilir Beqës, Edi Ramës e klientelës së tyre.

MSH-PD: DO HEDHIM DRITË MBI NGJARJEN, PO PËRDORNI DHIMBJEN NJERËZORE
Fill pas akuzave të Partisë Demokratike, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, duke i cilësuar shpifje deklaratat e opozitës për ngjarjen e rëndë që ndodhi në maternitetin ‘Koço Glozheni’, ku humbi jetën një grua shtatzënë, bashkë me foshnjën në bark.

Me anë të një reagimi për mediat, MSH thekson se do të bëhet çdo gjë për t’u hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe foshnjës së saj, Ministria e Shëndetësisë siguron se do të bëjë gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi ngjarjen tragjike. Por, është për të ardhur keq që Partia Demokratike gjen kurajë për të përdorur për përfitime politike të ditës dhimbjen e natyrshme njerëzore të shkaktuar nga ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së një nëne dhe foshnjës së saj. Ministria e Shëndetësisë ka informuar opinionin publik për të gjithë ecurinë e ofrimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor për pacienten A. Ç., qysh prej momentit të paraqitjes në shërbimin e urgjencës së SUOGJ “Koço Gliozheni” dhe deri në momentin e konsultës së fundit të mjekëve specialistë.”, citohet në reagimin e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë pohoi ndër të tjera se PD po përdor politikisht dhimbjen njerëzore.
“Ashtu siç kemi bërë me dije edhe më herët për opinionin publik, Ministria e Shëndetësisë ka vënë menjëherë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë të gjithë informacionin e nevojshëm, duke mundësuar nisjen e një procesi gjithëpërfshirës të hetimit dhe zbardhjes së ngjarjes.

Dëshirojmë të rikonfirmojmë sërish për opinionin publik se, bazuar në të gjitha faktet dhe informacionet e mbledhura, ngjarja nuk ka ndodhur as për mosprezencë të personelit mjekësor të shërbimit të urgjencës apo të qendrave universitare mjekësore në Tiranë, as për mungesë të infrastrukturës diagnostikuese, as për mungesë barnash apo materialesh mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientes në fjalë dhe as për mungesë të ofrimit të shërbimit të autoambulancës.”, përfundon reagimi.
(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb