TIRANE-Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi shprehet se të majtës i mungojnë 140 mijë vota nga zgjedhjet e shkuara.

“E majta fitoi bindshëm. Qëllimi i parë në këto zgjedhje është të fitosh kryetarin, se sa ngushtë apo gjerë fiton, kjo pak ka rëndësi. Në një analizë më të hollësishme, duhet të llogarisim sa ka qenë pjesëmarrja, a është ruajtur vota dhe konkluzioni është se mbi 140 mijë votues që votuan të majtën në vitin 2013, nuk kanë shkuar në zgjedhje”, tha Gjinushi në një intervistë për gazetën ‘Panorama’.

Sipas Gjinushit, kjo është një shprehje pakënaqësie ndaj mazhorancës.

“Një diferencë mes të majtës dhe të djathtës në 11 përqind është në minimum, sepse realisht kjo diferencë është 17-18 përqind. Rezulton se në këtë diferencë, PD nuk ka humbur ndonjë votë nga 2013, pothuaj ka marrë votën e saj politike. Firoja është tek e majta, për shkak të konsumit të qeverisë”.

Gjinushi thotë se Lulzim Basha bëri një gafë në këto zgjedhje, pasi nuk ngriti dot një koalicion të paktën me aleatët realë.

Ndërkohë, duke bërë një analizë se si do përktheheshin votat për kryetarë bashkish në mandate deputetësh, Panorama thotë se PD merr 60 deputetë, kurse e majta merr 78 deputetë.

Duke hequr prej këtu pesë mandate të PDIU dhe PDK, që iu bashkuan mazhorancës, PD ka marrë tetë mandate më shumë se në vitin 2013, kur mori 57 deputetë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: