TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar deklaratat e saj kundër deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima. Në një dalje para mediave, sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Gent Strazimiri, tha se Kokëdhima shkeli 150 herë Kushtetutën.
“Neni 70 i Kushtetutës qartësisht e detyron deputetin Koço Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionarit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën. Pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”. Koço Kokëdhima për 6 muaj nga data e betimit si deputet ka mbajtur të gjitha aksionet e ndërmarrjes së tij duke përfituar 150 herë fonde publike. Kontrata më e rëndësishme në Republikës së Shqipërisë, është Kushtetuta, prej së cilës rrjedhin ca kontrata të tjera, të shkruara në ligje specifike. Deputeti Koco Kokëdhima, në vetëm 6 muaj, e ka shkelur 150 herë Kushtetutën, mbi dhe në emër të së cilës, është betuar formalisht për të respektuar edhe ligjet që rrjedhin prej saj”, tha Strazimiri.

Ai solli në vëmendje betimin që deputeti socialist ka bërë për të mbrojtur Kushtetutën e vendit.

“Kjo ka ndodhur në seancën më të shkurtër, por më substanciale të Kuvendit! Në datën 10 shtator të vitit 2013, është ngritur në këmbë pasi i është thirrur emrin, dhe ka thënë “Betohem”! Nga ky moment çdo “kontratë” e mëparshme duhej të ishte bërë nulë!
I njëjti individ del sot dhe thotë se kontratat e ndërmarrjes së tij qenkan më të rëndësishme se Kushtetuta dhe ligji, prevalokan mbi Kushtetutën dhe ligjin, dhe argumenti i vetëm që ka për këtë duket të jetë “zotësia e avokatëve të tij”. Kjo është një rrëfenjë për “dëgjo këtu biri im”, por qesharake dhe aspak serioze për një ligjvënës”, tha Strazimiri.
Sipas tij Koço Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private. “Pra Kushtetuta e detyronte të mos përfitonte më asnjë qindarkë. Neni 70 i Kushtetutës qartësisht e detyron deputetin Koço Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionarit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën. Pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”, u shpreh deputeti demokrat.
Duke u ndalur tek ligji për konfliktin e interesit, Strazimiri tha se “edhe neni 28 i ligjit për “Parandalimin e Konfliktit të Interesit” sanksionon se “deputeti nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse” (pika a), si dhe “nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregëtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg” (pika c)”.
Mirëpo, deputeti i Edi Ramës, duke injoruar në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin, ka përfituar në xhepin e tij plot 150 herë fonde publike. Ai jo vetëm nuk hoqi dorë nga aksionet dhe nga përfitimet e të ardhurave nga Buxheti i Shtetit, por në nëntor të vitit 2013, pra 3 muaj pasi ishte bërë deputet, i rriti aksionet e tij në kompani, duke u bërë aksionar i vetëm me 100 për qind”, deklaroi Strazimiri.

Ai akuzoi deputetin socialist se është tallur me kushtetutën e vendit dhe për këtë arsye kërkoi nga Kreu i Kuvendit shqyrtimin e kërkesës së PD-së për mandatin e Kokëdhimës.
“Koço Kokëdhima ia ka dalë disa herë ti shpëtojë ndëshkimit të ligjit, dhe ai është një shkelës i përsëritur, me ndërtimin e sarajeve 20 metra larg detit, e me disa ndërtime të tjera në Tiranë. Por kësaj radhe, ai ka guxuar shumë duke u tallur me Kushtetutën e vendit. Ne i bëjmë thirrje kryetarit të Kuvendit të trajtojë me shpejtësi kërkesën e Partisë Demokratike për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, për mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima. Me miqësinë që ka me Edi Ramën, ai mund të vazhdojë të jetë beu i Jugut, por deputet nuk është më. E ka humbur mandatin”, tha ai.
Në përfundim Strazimiri duke iu drejtuar Kokëdhimës u shpreh: Dhe një këshillë falas: Sugjeroju “juristëve” të tu, të lexojnë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin “Beqja”, gjithashtu mik i Ramës, shkelës vetëm në një rast i ligjit, domethënë të paktën 149 herë më pak se ti.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: