TIRANE – Sipas Partisë Demokratike, “çmimi i naftës për qytetarët shqiptarë mbahet nga qeveria dhe oligarkët e saj më i shtrenjti në rajon dhe më gjerë”. Deputetja e PD-së Jorida Tabaku paralajmëroi nisjen e një aksioni për uljen e çmimit të naftës për qytetarët.
“Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion qytetar për të ushtruar presionin e saj ndaj qeverisë për të rishikuar rritjen e taksave dhe uljen e çmimit të karburanteve. Përmes çdo forme demokratike në mbrojtje të interesave të gjithë qytetarëve e sidomos të atyre, të cilët pushteti i oligarkëve u bën padrejtësi.”- deklaroi Tabaku.

“Partia Demokratike ka ngritur prej kohësh shqetësimin se shqiptarët paguajnë sot më shumë për naftën dhe benzinën. Më shumë se sa shqiptarët e Maqedonisë, më shumë se sa shqiptarët e Malit të Zi. Qeveria e cila ndërton aksione për të vendosur në rreshtore të pafuqishmit, nuk lëviz gishtin aspak ndaj oligarkëve të cilët nuk lejojnë çmimin e naftës të ulet në të njëjtën masë sa në vendet e rajonit. Maqedonia e ka çmimin 15% më të ulët.
Serbia e mbërthyer nga një krizë ekonomike dhe nga një recension e ka çmimin 11% më të ulët se sa ne. Bosnja Hercegovina e ka 19% më të ulët se sa vlera që shqiptarët blejnë sot në pikat e karburantit. Të gjitha këto vende e kanë çmimin e karburanteve më të ulët sepse qeveritë e këtyre vendeve kanë vendosur mos ta vdesin ekonominë përmes rritjes së taksave. Kanë vendosur që mos ta vdesin konsumin përmes rritjes abuzive të taksave dhe arrogancës në llogaridhënie.”- deklaroi Tabaku.
“Qytetarët e vendit tonë u duhet të shpenzojnë 10% nga të ardhurat për të paguar një litër karburant. Ndërkohë që vende si Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Çekia, Polonia dhe Greqia nuk e kalojnë kufirin e 5% të të ardhurave për një litër karburant. 10 lekë në çdo 100 lekë të çdo qytetari shqiptar shkon për shpenzimet e karburantit. Ministrat heshtin për këto të dhëna të vërtetuara ndërkombëtarisht. Qeveria nuk ka bërë asgjë, përveç rritjes së taksave, për të vërejtur këto abuzime në tregun e naftës dhe as nuk pritet të marrë masa, pavarësisht kërkesave tona të përsëritura. Duke qenë se edhe ajo po sillet si një oligarke dhe taksidare ndaj qytetarëve të pafuqishëm të vendit. Ndryshe nga cilido vend i rajonit, qeveria aktuale është përgjegjëse për 60% të çmimit që ende nuk zbret në kufijtë e normales. Sepse është po kaq shuma që ajo i merr cilitdo prej nesh në një litër karburant përmes rritjes së taksës së qarkullimit. Ne arrijmë shifrën rekord të 1000 lekë për litër taksa! Jemi i vetmi vend në rajon ku qeveria në mënyrë të hapur i ka shpallur luftë konsumatorëve dhe qytetarëve duke mbështetur përmes një pakete fiskale të gjithë oligarkët të cilët blejnë naftën më lirë jashtë duke e shitur atë më shtrenjtë tek qytetarët.”- vijoi Tabaku.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: