TIRANË

Në librin e hedhur sot në treg, me titull ‘Misioni im’, e që mban firmën e tij, kryedemokrati Lulzim Basha flet për sfidat e partisë demokratike, si edhe sfidën e tij më të madhe në drejtim e saj.

Këtë botim kreu i demokratëve e ka paraqitur për lexuesit si një letër të hapur për shqiptarët! Në faqen e fundit të librit thuhet se: “Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve.

KAPITULLI II

‘Partia demokratike dje, sot dhe nesër- ‘Partia më e bukur e Lindjes’

Në ndryshim nga kundërshtarët e mi që drejtojnë një bllok të monopolit, gati një bllok të konsakruar mes tyre, kompleksiteti i këtyre shtresave e bën drejtimin e Partisë Demokratike një sfidë më vete. Zgjerimi i këtij formacioni dhe shndërrimi i tij në një shumicë qeverisëse për të mirën e interesit publik dhe të Shqipërisë, e bën atë një sfidë edhe më të madhe.

Sfida e Partisë Demokratike nuk është thjesht përfshirja e këtyre grupeve, por hapja e mëtejshme ndaj gjithë atyre individëve të lirë dhe atyre grupeve ose nën grupimeve që po lindin në Shqipërinë e sotme, në Shqipërinë e shekullit XXi, sidomos te të rinjtë me interesa dhe pasione bashkëkohore.

Partia Demokratike duhet të gjejë forcën edhe kurajon për t’u hapur drejt grupimeve të shoqërisë që besojnë te demokracia dhe liria, që besojnë te e ardhmja europiane e Shqipërisë, e cila mund të sigurohet vetëm nëpërmjet qeverisjes prej një formacioni që simbolizon shkëputjen dhe transformimin demokratik, pra, Partisë Demokratike. Në këtë kuptim, për mua personalisht mbetet një sfidë për të bindur qytetarët shqiptarë, pavarësisht prejardhjes së tyre shoqërore, se Partia Demokratike është partia e të gjithëve është një pasuri kombëtare për të gjithë.

Hapja e strukturës sonë, qarkulli i elitave në Partinë Demokratike, mbetet sfida ime më e fortë. Kur dikush më kritikon se pse nuk ka përfshirë këtë apo atë në listë, edhe pse për arsye etike jo gjithmonë më duhet të replikoj, përgjigjja ime është: Po vendin për të rinjtë kush do e hapë? Po vendin për figurat e reja, për aktorët e rinj, për protagonistë të rinj shoqërorë, kush do ta hapë? Unë jam i lumtur që Partia Demokratike ka arritur të promovojë një elitë të re politike në Shqipëri dhe u ka dhënë ekipeve të tëra që kanë marrë përvoja të rëndësishme  në Partinë Demokratike dhe që kontribuojnë sot në shoqëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb