Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

Tabaku deklaroi se duke qenë në një moment para zgjedhjeve lokale, PD nuk duhet të humbë mundësinë për të marrë pjesë në të pasi është një parti elektorale që të vetmen mënyrë për të ardhur në pushtet ka votën.

Ajo theksoi se Partia Demokratike duhet të hyjë në zgjedhje me kandidatë të përbashkët, ndërsa vuri në dukje se përjashtimet e deputetëve nga seancat e fundit kanë qenë të padrejta.

Sa i përket situatës në Parlament është e pandershme që foltorja të përdoret për të sulmuar njëri-tjetrin brenda opozitës, por duhet të shërbejë si një platformë për të ngritur zërin kundër qeverisjes.

“Nuk pretendoj që unë do jem ajo që do i jap zgjidhje situatës. Sot ndodhemi në një situatë para zgjedhjeve lokale dhe unë besoj se nuk duhet të humbim mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhje. PD është një parti elektorale dhe do zgjidhet vetëm me votë. Nuk kam ndryshuar qasje për protestat, unë kam qenë në pjesën më të madhe të tyre. Protestat e PD kanë treguar se krahas tyre duhen edhe shumë gjëra për të ardhur në pushtet. Ne duam që të zgjidhemi në fund dhe nuk vijmë dot në pushtet pa votën. Ne e kemi treguar se kjo qeveri e bën keq punën, por duhet të tregojmë se ne e bëjmë më mirë. Ne nuk jemi duke e bërë këtë. Protestat duhen, por jo vetëm ato. Ne do ta heqim këtë qeverisje vetëm kur të japim alternativën tonë.

Unë mendoj se është e pandershme për demokratët dhe qytetarët që e përdorim foltoren për të sulmuar njëri-tjetrin, Kjo është e pandershme, atë duhet ta përdorim si platformë kundër qeverisë. Neve na bashkon opozitarizmi dhe këtë duhet ta ofrojmë. Unë kam qenë e mendimit se PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje. Për këtë arsye kam insistuar. Duhet patjetër të ofrojmë një alternativë. Duhet të ketë përpjekje të jashtëzakonshme për të pasur kandidatë të përbashkët. 14 maji duhet të tregojë se opozita ngrihet mbi interesin personal dhe ofron një alternativë më të mirë. Përtej një vendimi gjykate zgjidhja duhet të jetë politike.Parlamenti duhet të përdoret për të folur, për të ngritur zërin. Kemi bërë shumë gabime, një prej tyre largimi nga parlamenti. Duke bllokuar seancën na hiqet mundësia për të folur të gjithëve. Deputetët janë përjashtuar në mënyrë të padrejtë, por ne duhet të fokusojmë debatin aty.

Në parlament kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, nuk ka pasur përjashtim kur deputetët e PS kanë dhunuar ata të PD. Që tit ë përjashtosh 1 të pestën e parlamentit është absurd sepse kërkojnë transparencë. Nga 2013 është bllokuar kush e di sa herë foltorja dhe nuk ka pasur përjashtime në këtë nivel. Përjashtimi kaq i thjeshtë për mua është e papranueshme. Sjellja e zonjës Nikolla ishte e papranueshme që të votojë për të hequr të drejtën e fjalës së deputetëve. Duhet të mobilizohen më shumë se vetëm militantët e partisë. Duhet të fokusohemi te oferta dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve”, tha Tabaku.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb