TIRANË- Partia Demokratike shton të tjera akuza ndaj maxhorancës për rastin e Arben Frrokut. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka ngritur një tjetër pyetje, duke aluduar se shenjat e gishtave të Arben Frrokut u manipuluan për të bllokuar ekstradimin.

“Të dhëna të reja tronditëse po dalin në lidhje me lehtësitë që Edi Rama i ka ofruar deri në fund aleatit politik, Arben Frroku, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj. Sot, ngrihen disa pyetje legjitime që kanë nevojë për përgjigje;
A janë manipuluar nga autoritetet shqiptare shenjat e gishtave të Arben Frrokut në kartelën që shoqërojnë kërkesën për shpallen në kërkim ndërkombëtar? A është dëmtimi ose manipulimi i shenjave të gishtave një nga arsyet se përse u vonua procedura e ekstradimit nga Holanda, të Arben Frrokut? A është urdhëruar policia të dërgojë në Holandë kartelë të re për Frrokun me shenjat reale të gishtave, pas denoncimit të z.Berisha?”, ka thënë Alibeaj.

Ai tha më tej se ‘Kur kartela me shenjat e gishtave që krerët e policisë dërgojnë në qendrën e Interpolit është e pavlefshme, atëherë policia e një vendi tjetër nuk mund të nisë procedurat e ekstradimit pasi konfirmimi i identitetit bëhet i pamundur’.

“Edhe 1 javë kohë i duhej aleatit të Edi Ramës, t’i shpëtonte policisë holandeze e të fitonte sërish lirinë. Këto nuk janë thjesht dyshime për një rast të lidhjes së krimit me pushtetin, por janë pikëpyetje që vënë në dyshim Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Çfarë drejtësie mund të presim nga një kryeministër që i shërben deri në fund krimit dhe krijon lehtësi për vrasësin e dënuar përjetë të një oficeri të lartë policie, që nga arratisja e tij e deri në rastin kur ndalohet nga një shtet evropian”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “është e qartë për çdo shqiptar se një kryeministër që mbron krimin është garancia më e mire se vendi nuk mund te njohë e të ketë drejtësi”.

“Prokuroria duhet të reagojë menjëherë e të hetojë me imtësi këtë rast. Nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, Prokuroria duhet të nxjerrë para ligjit autorët dhe urdhëruesit”, theksoi Alibeaj.​

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: