TIRANE- Partia Demokratike nëpërmjet kreut të Departamentit për Rendin Publik, Bashkim Shehut, ka bërë sot të tjera fakte në lidhje me çështjen “Doshi”. Sipas PD-së. Toni i Kombinatit është mik dhe klient Metës dhe Ramës. “Sepse pikërisht ditën që është nxjerrë për të urdhri i kërkimit, ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë.”

Një lëvizje e qartë, për pengim të hetimit, dhe fshehje të krimit. Ky është një fakt skandaloz, një dëshmi tjetër e përfshirjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë histori kriminale. Një dëshmi e vënies në dispozicion të Ministrit të Brendshëm në mbulim të gjurmëve e largim të dëshmitarëve. Si doli nga Rinasi Toni i Kombinatit kur ishte në kërkim? Me urdhër të kujt”, thotë PD.

Përkundër këtyre akuzave, Policia e Shtetit ka deklaruar se “Fatjon Skënderi nuk është shpallur kurrë në kërkim nga Policia e Shtetit dhe as nga Prokuroria. Sqarojmë se në datën 1 shtator 2014, shtetasi Fatjon Skënderi ka qenë objekt i një atentati në Tiranë, ngjarje për të cilën pas referimit nga Policia në prokurori, Prokurori ka regjistruar Procedimin Penal Nr.6106-2014 për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”

DEKLARATA E PLOTË E PD
Ndërmjetësi i dyshuar mes porositësit të vrasjeve të dy deputetëve, dhe atentatorit është një klient dhe mik i afërt i pushtetit.

Sipas akuzave para të cilave ndodhet Ilir Meta, si porositës i vrasjeve, Toni i Kombinatit ka luajtur rolin e ndërlidhësit, pra të gjetjes së atentatorit dhe çuarjes së planit deri në fund.

Policia vetë e ka konfirmuar me anë të këtij dokumenti, që Toni i Kombinatit, është përfshirë në këtë skenar të eleminimit të dy deputetëve, pasi e ka shpallur në kërkim me datën 8 shtator të vitit 2014, për akuzën e “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.

Që Toni i Kombinatit është mik dhe klient i dyshes Meta-Rama, e tregon fakti se pikërisht, ditën që është nxjerrë për të urdhëri i kërkimit, ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë. Një lëvizje e qartë për pengim të hetimit, dhe fshehje të krimit.

Por Ilir Meta i ka mbajtur kontaktet me të, pasi dërgoi Spartak Brahon, për ta sjellë në Shqipëri, dhe për ta vënë në shërbim të alibisë së tij, në shërbim të fabrikimit dhe manipulimit të çështjes. Në shërbim të pengimit të drejtësisë dhe fshejes së krimit.

Në këmbim të dëshmisë së tij pro-Metës, tonit i janë afruar garancitë e nevojshme, dhe sot është i lirë edhe pse kërkohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Një skemë tipike mafioze, ndërhyrje brutale në hetim, dhe fshehje e të vërtetës.

Ky është një fakt skandaloz, një dëshmi tjetër e përfshirjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë histori kriminale. Një dëshmi e vënies në dispozicion të Ministrit të Brendshëm në mbulim të gjurmëve e largim të dëshmitarëve, pra të fshehjes së krimit. Si doli nga Rinasi Toni i Kombinatit kur ishte në kërkim? Me urdhër të kujt?

Këto ngjarje tregojnë se nuk mund të ketë hetim të besueshëm sa kohë që ilir Meta pengon drejtësinë me anë të pushtetit që ka, sa kohë që Edi Rama bashkëpunon në këtë skemë kriminale të shantazhit ndaj organit të akuzës dhe mbulimit të së vërtetës.

Nuk mund të ketë hetim të besueshëm dhe të vërtetë të çështjes më të rëndë të 25 viteve, ku Kryetari i Parlamentit akuzohet si porositës i vrasjes së dy deputetëve, sa kohë që pushteti po bën çdo përpjekje për ti bërë presion prokurorisë e për të fshehur të vërtetën.

DEKLARATA E POLICISE SE SHTETIT

“Lidhur me deklaratën referuar shtetasit Fatjon Skënderi, sqarojmë se ky shtetas nuk është shpallur kurrë në kërkim nga Policia e Shtetit dhe as nga Prokuroria.

Sqarojmë se në datën 1 Shtator 2014, shtetasi Fatjon Skënderi, ka qenë objekt i një atentati në Tiranë, ngjarje për të cilën pas referimit nga Policia në prokurori, Prokurori ka regjistruar Procedimin Penal Nr.6106-2014, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë” .

Më pas, drejtoria e policisë Tiranë në bashkëpunim me prokurorinë kanë kryer tëgjitha veprimet e nevojshme hetimore si kontroll banese e ketij shtetasi, shoqërimi në komisariat të tij dhe personave të tjerë që kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe të veprimeve të tjera me metodat speciale të hetimit.

Shtetasi Fatjon Skenderi në kohën kur ka dalë jashtë Shqiperisë nuk ka patur asnjë shkak ligjor për t’u penguar. Hetimet për këtë ngjarje janë në vijim,” – thuhet në deklaratën e Policisë.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: