TIRANE- Në një deklaratë për mediat koordinatori i PD-së, Akil Kraja akuzoi kandidatin e ASHE-se për Bashkinë e Tiranë, Erion Veliaj se gënjeu duke premtuar shkolla të reja profesionale.

“Sot Erion Veliaj, producent i shfaqjes së tij mediatike, doli në një cirk, ku në vend që të flasë me votuesit, i drejtohet stafit të tij që i shet si njerëz të thjeshtë nën skenografi të shtrenjtë e luksoze. Dhe në këtë shfaqje Erioni përsëri i ofron votuesve edhe më shumë premtime fallso me shpresën që kjo do të funksionojë sërish. Në 2013 Erioni i premtoi votuesve se do të hapte shkolla të reja profesionale. Sot duhej të na tregonte se ku janë shkollat e reja profesionale. Ai mashtroi. Për dy vite, ai nuk hapi as edhe një shkollë të re profesionale. Sot kemi të njëjtin numër të shkollave profesionale, edhe pse Erioni ka folur për dy vite për këtë temë çdo ditë. Kjo është e vërteta, votuesit nuk mund të mashtrohen për herë të dytë”,-tha Kraja.

MMSR: KEQARDHJE PËR AKUZAT. JA SHKOLLAT QË JANË HAPUR
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka reaguar sot pas akuzave që lëshoi sot Partia Demokratike, për Erion Veliajn, se nuk hapi asnjë shkollë profesionale. Në një deklaratë drejtuar mediave, MMSR theksoi se gjatë kohës si ministër, Veliaj ka hapur disa shkolla të reja profesionale.

“Shprehim keqardhjen për akuzat e lëshuara sot në adresë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë lidhur me arsimin profesional. Arsimi profesional është një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe si i tillë ka marrë vëmendje maksimale nga MMSR. Rritja e regjistrimeve në arsimin profesional me 40% gjatë vitit shkollor 2014 – 2015 është prova më e qartë e suksesit tonë në këtë drejtim.”, citohet në reagimin e MMSR-së.

Sipas ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, gjatë këtyre 18 muajve janë hapur këto shkolla:
-Shkolla e re “Herman Gmeinner”, pranë Fshatit SOS, Tiranë, e fokusuar në përgatitjen e nxënësve për Drejtimin mësimor “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” (TIK). Kurrikula e kësaj shkolle është hartuar në bashkëpunim me ekspertë austriakë dhe synon përafrimin me nivelet e shkollave austriake;
-Drejtimi Mekanikë në shkollat profesionale në Tiranë, mbyllur që në vitin shkollor 1996-1997 me ish Politeknikumin “7 Nëntori”;
– Drejtimi mësimor Peshkim, në shkollën “H. Çela”, Durrës i cili kishte më tepër se 6 vjet që nuk funksiononte më;
– Drejtimi Gjeologji Miniera, pranë Gjimnazit të Bulqizës, kualifikim që nuk ofrohej që nga ’91, që shërben jo vetëm për arsimimin e të rinjve në këtë profesion, por edhe për aftësimin profesional të punëtorëve aktualë në minierë;
-Kanë filluar punimet në objektin e ri të shkollës “Kolin Gjoka”, Lezhë.
– Është investuar për ndërtime të reja dhe rikonstruksion në shkollat “P. Sota”, Fier, “A. Broci”, Shkodër, “H. Cela”, Durrës, “Ndre Mjeda” Bushat, “Sali Ceka”, Elbasan. Për vitin 2015 investimet në sektorin e Arsimit Profesional janë rritur me plot 50% duke arritur nivelin e tyre më të lartë.

“MMSR do të vazhdojë punën e saj në sektorin e arsimit profesional në përputhje me Strategjinë e Punësimit dhe Aftësimit 2014 –15. Duke i mirëkuptuar dyshimet e Partisë Demokratike lidhur me ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në këtë sektor, që për 8 vjet me radhë ishte lënë në mëshirë të fatit, i ftojmë përfaqësuesit e kësaj force të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm pranë MMSR-së dhe nëse është e nevojshme të na bashkohen në një tur të të gjitha investimeve në arsimin profesional.”, përfundon reagimi i MMSR-së.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: