TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se kjo qeveri arriti të ndalë hemorragjinë dhe se 10 paketa shëndetësore sot janë falas. Deputetja demokrate, Albana Vokshi e cilësoi Ramën manipulator të publikut dhe deklaroi se vendi është përfshirë nga hemorragjia e eksodit masiv të shqiptarëve.

“Kur vendi është përfshirë nga hemorragjia e eksodit masiv të shqiptarëve, kryeministri pretendoi se paska ndaluar hemorragjinë në shëndetësi. Manipulatori ekselent i publikut, foli sot nga një kongres mjekësh, ku mashtroi se, çmimet e ilaçeve janë ulur me 30%. Borxhet dhe gropat më të mëdha në historinë e farmaceutikës i ka krijuar Rama dhe Beqja me monopolet, klientelizmat, shantazhet, të cilat sollën si pasojë edhe ikjen e kompanive me prestigjioze të barnave”, tha Vokshi.
Deputetja demokrate tha se 30% e barnave kushtojnë deri në 150% më shumë ndërsa akuzoi qeverinë si fajtore të largimit të dy prej kompanive nga më të mëdhatë në botë të prodhimit të barnave: Glaxo dhe Actavis.

“Pyesim sot Ramën: Për cilat ilaçe foli sot Kryeministri, kur në listën e rimbursimit të këtij viti, më shumë se 30% e barnave kushtojnë deri në 150% më shumë (kryesisht ato që prodhohen dhe tregtohen nga klientët e maxhorancës). Pse Kryeministri nuk u shpjegon shqiptarëve, që ishin pikërisht trysnia e pandërprerë e qeverisë dhe gjendja mjerane, ku ai e ka çuar ekonominë shqiptare, arsyet që çuan në largimin e dy prej kompanive nga më të mëdhatë në botë të prodhimit të barnave: Glaxo dhe Actavis.
Sot, shumë barna cilësore të kompanive serioze farmaceutike po tërhiqen nga tregu shqiptar dhe po zëvendësohen me barnat e Rilindjes. Rastet e denoncuara publikisht nga Partia Demokratike për barnat Avastinë dhe Altuzan ende nuk janë trajtuar apo kanë marrë përgjigje nga Prokuroria”, tha Vokshi.
Sipas saj “Kryeministri i gënjeu përsëri shqiptarët kur tha se, kostoja e barnave u ul me 70 milion lekë në buxhetin e shtetit”. “Mungesa e alternativave të para në treg (për arsye se kompanitë nuk i sjellin për mungesë interesi), kanë sjellë që qeveria të rimbursojë alternativat pasardhëse që janë shumë më të shtrenjta. Sot në farmaci dhe spitale mungojnë barna jetike për kurimin e disa sëmundjeve të rënda si kancer, leucemi etj”, tha ajo.

Vokshi deklaroi se pacientët molestohen brenda ambienteve të QSUT-së, pacientët hidhen në rrugë në mënyrë makabre nga ambulancat.
“Pyes sot Kryeministrin: Për çfarë plagësh të shëruara në shëndetësi flet ai, kur pacientët molestohen brenda ambienteve të QSUT-së? Kur pacientët hidhen në rrugë në mënyrë makabre nga ambulancat? Kur qytetarëve u mohohet dializa dhe shërbimet bazë? Kur pacientëve me hemofili u mungon kura prej tre muajsh? Për çfarë situate në qendra shëndetësore flet Rama, kur një pjesë shumë e madhe e tyre është kthyer në gërmadha apo strehë për kafshë rruge? Qendrat shëndetësore dhe spitalet janë pasqyrimi më i saktë, më i pagabueshëm i krizës dhe mjerimit që ka shkaktuar kjo qeveri për dy vjet. Për çfarë reforme flet Rama kur check-up falas rezultoi një projekt fiktiv, korruptiv dhe i dështuar, ku asnjë analizë nuk kryhet realisht dhe njerëzit që super paguhen për të nuk kanë lidhje me mjekësinë, por vetëm me klanin Beqja-Rama?”, tha mw tej ajo.

Deputetja e PD-së tha se paratë e taksapaguesve janë mbledhur në dy ose tri duar, qeveri-parlament- ministri, dhe ky rrjet kontrollon dhe menaxhon edhe qindarkën e fundit.
“Kur sistemin e kap mafia ajo pushton çdo hapësirë konkurrence dhe ligjore. Çka do të thotë që, të gjitha paratë e taksapaguesve janë mbledhur në dy ose tri duar, qeveri-parlament- ministri, dhe ky rrjet kontrollon dhe menaxhon edhe qindarkën e fundit.
Këta njerëz pasurohen pa fund ndërsa spitalet dhe qendrat nuk furnizohen as me sapun, ujë dhe ilaçe, madje as me kartela e receta shëndetësore. Tenderët kryhen jashtë çdo kriteri dhe në terr të plotë informimi. Në top listën e mashtrimeve të Ramës tashmë zë vend të parë SHËNDETËSIA FALAS. Sot, shëndetësia është në agoninë e vdekjes dhe Rama–Beqaj nuk e Rilindin dot!”, përfundoi deklaratën Vokshi.

Lista e disa prej barnave që sot mungojnë në treg, nxjerrë nga një studim që i kanë bërë tregut farmaceutik koordinatorët e Partisë Demokratike.
“Femara, helpogen, dermobiolene, acy oftalmik; Warfarine 3 dhe 5mg; Euxat 0.3 ose coral 0.3; dintoine; enaran 20; citalopram 10; capill tub; fitostimuline tub; silvaderm tub; gentamicine + betametazon idi.milflonid 0.2; acid valproik 0.5 eg; ventoline pompe; glitrine spray; lopril 10+hct; seroxat. Rissar; Xalacom Tamoxifen 10 mg; Latanoprost; ponstan; depakine 500 ins 25/75; pyridostigmine; brequal; anastrazol; losartan; Imatinib;
Grodurex; metotrexat; bromkriptine; mesaflor; moduretic; belosalic; hydroksiure; gabapentine; fludara; avodart; fluoksetine; adirateron; fenofibrat; azitromycine; baktrime fluconazol; vit b1.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: