Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e cilëson arrestimin e anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, shembulli “par exellence” i masave anti-demokratike dhe represive që vazhdojnë të ndërmerren nga Ministria e Brendshme.

Në një reagim pas shoqërimit të katër aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, PDIU deklaron se “demokracia jonë hibride po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit duke vënë në rrezik më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Sipas PDIU, dje rezistenca demokratike dhe aktivizmi qytetar morën një tjetër goditje fatale.

DEKLARATA E PLOTË
Demokracia jonë hibride po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit duke vënë në rrezik më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Pas pamjeve të trishta të ditëve të fundit, ku minorenë e adoleshentë u dhunuan e arrestuan nga policia e shtetit, dje rezistenca demokratike dhe aktivizmi qytetar morën një tjetër goditje fatale.
Arrestimi i anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Ergys Mërtiri dhe Astrit Seranaj është shembulli “par exellence” i masave anti-demokratike dhe represive që vazhdojnë të ndërmerren nga Ministria e Brendshme.
Prej kohësh shoqëria e lirë civile, e cila ka vendosur të reagojë për kauza të rëndësishme që shqetësojnë qytetarët, jo vetëm që nuk dëgjohet siç ndodh në vende normale, por dhunohet dhe arrestohet.
Demokracia jonë hibride po rrëshket gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit duke vënë në rrezik më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Duke parë përshkallëzimin e vazhdueshëm të represionit qeveritar dhe duke vërejtur me keqardhje përdhosjen e rolit të shoqërisë civile, kërkojmë nga Ministri i Brendshëm i sapoemëruar dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpjegime mbi ndalimin për orë të tëra dhe dhunimin e aktivistëve. Po ashtu, iu bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë akte të tilla, që bien ndesh me vlerat euro-atlantike, pjesë e të cilave shqiptarët ndihen vetiu.
Policia e Shtetit mund të burgosë aktivistë, por ajo nuk mund të burgosë frymën, idetë dhe aspiratat e shqiptarëve të lirë. Me urdhër mund të kontrollohet qasja në informacion, por nuk mund të fshihen të vërtetat që qytetarët e këtij vendi i shohin përditë.
Sjelljet e këtij regjimi tregojnë vetëm që fundi i tij është afër, që pushteti një ditë mbaron, ndërsa llogaridhënia herët a vonë do të jepet një më një.
#PDIU #NënNjëFlamur ??

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb