Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, në fjalën në hapje të fushatës për zgjedhjet lokalë të 14 majit, është shprehur se politika shqiptare është e nënshtruar ndaj një fqinji, siç është shteti grek.

Ai shtoi e shteti shqiptar ende nuk e kupton që po jetojmë në një shekull ku të drejtat e njeriut nuk mund të nëpërkëmben.

Kreu i PDIU shtoi se në Parlamentin e Shqipërisë askush nuk e përmend Çamërinë dhe çështjen çame, për shkak të frikës nga Greqia.

“Nisim sot një rrugëtim nga varrezat monumentale të Kllogjerit. Nuk ishte e lehtë për ne që ta nisnim në këtë vend këtë fushatë politike. Por ne kështu tejkalojmë çdo keqdashje apo bestytni. Në fakt ky memorial dhe piedestal duhet të ishte ngritur nga çdo parti politike, nga çdo qeveri e për çdo trevë të Shqipërisë. Sot kam vetëm një fjalë për të gjithë ata keqdashës që pyesin se çfarë kemi bërë ne për çështjen çame. Ju them ja ku e keni, atë që duhet ta kishte bërë çdo qeveri, u themi se këtë e kemi bërë ne. Për mua nuk ka krenari më të madhe sesa t’i shohim të rinjtë tanë që bërtasin fortë për origjinën e tyre fisnike. Po ju ça keni bërë për Çamërinë?
PDIU-së që doli e vetme, i kërkojnë llogari të majtë e të djathtë, se ku jeni. I drejtohem të gjithë atyre që PDIU i bëri drejtorë, zv.ministra, shefa, etj. Ku ishit deri dje, a ju njihte njeri? Ja keni borxh Çamërisë. Të kujtohen njëherë që t’ja zënë në gojë emrin e Çamërisë.
Çamëria është si Miti i Sizifit që kam vendosur ta çoj në majën e malit. Sot ky gur i rëndë ka me mijëra duar që e mbartin.
Keni gojë të na zini ne me gojë, ne e kemi zanafillën për ta kthyer Çamërinë në një çështje kombëtare.
Ajo që kam parë me neveri nga politika e ditës, është frika dhe nënshtrimi ndaj një fqinji që nuk pranon që ky është shekulli ku të drejtat e njeriut janë të shenjta e nuk mund të nëpërkëmben.
Nuk e kam kuptuar kurrë sesi në atë sallë të Parlamentit, kolegët e mi propozojnë lloj lloj rezolutash, për krimet në Bosje, deri në Kamborxhia, por nuk thonë asnjë fjalë për çështjen çame dhe të kujtojnë ata që u sakrifikuan që të mbetej kjo Shqipëri që është sot.
Sot vijmë si një forcë politike serioze. Sot trëndafilat e Çamërisë janë këtu me ne. Sot kërkojmë bekimin e të parëve, martirëve të atdheut që të vijojmë të punojmë për kombin”, u shpreh Idrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: