TIRANË– Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, është mandatuar sot nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie që të nisë bisedimet me forcat politike se me cilin koalicion do të hyjnë në zgjedhjet vendore.

“Vij këtu para jush, – tha ai, – që t’ju kërkoj mandatin, në konsultim me grupin parlamentar, për të negociuar me të gjithë faktorët politikë shqiptarë e për të vendosur mbi koalicionin apo pozicionimin politik të PDIU, për të qenë aktorë shpresënxitës në politikën shqiptare, por edhe për të garuar me sukses në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015”.

Idrizi, në fjalën që mbajti para Këshillit Kombëtar pasdite, teksa kërkoi votat publikisht para medias, theksoi se PDIU është parti paqesore, ndryshe nga të gjitha ato parti që historikisht kanë prodhuar konflikt, ndaj dhe është rritur këto vite dhe përfaqësuar me dinjitet në Kuvend.

“Mos na pyesni se me kë jemi në koalicion, – tha ai. -Ne e kemi koalicionin tonë me sovranitetin dhe dinjitetin tonë si parti, e kemi koalicionin tonë me kauzën e të gjithë shqiptarëve, me aspiratën e të gjithë shqiptarëve. Ne si PDIU e kemi koalicionin me aspiratën kombëtare të shqiptare.

Ne jemi në aleancë me aleatët tanë, po jo zar apo shtojcë apo seksion i ndonjë partie. Ne kemi refuzuar të jemi vegjetarianë në aleancat paszgjedhore. Për muaj me radhë na kanë përfolur si të dëshiruar me koalicionin qeveritar, por ne nuk jemi pjesë e shpresëvrasjes. Në fakt, ne si parti kemi vetëm një aleancë, vetëm një koalicion, nxitjen e shpresës për shqiptarët. Askush të mos na llogarisë me gjuhën e politikës së konfliktit apo sundimomanisë. Mjaft me politikën absurde të skemave. Mjaft me politikën që e çon shqiptarin në zgrip të revoltës. Të ndryshojmë kurse qeverisjeje apo opozitarizmi.

Jemi mbledhur sot në një moment të rëndësishëm të jetës sonë politike, të garës për bashkitë e vendit. Mund ta them me forcë dhe krenari se PDIU-ja se është subjekti me rritjen më të madhe elektorale. Ne jemi më shumë se 4-fishuar kur partitë e tjera e humbën peshën në koalicionin e kaluar dhe sot ne jemi në Kuvend me 5 deputetë. Ne jemi për të dëshmuar pa asnjë mëdyshje se jemi forca dhe pulsi i politikës shqiptare.

Çamëria mbetet qartësisht jo vetëm dhimbja më e madhe jona, por e gjithë shqiptarëve. Që harta e identitetit tonë kombëtar të jetë e plotë, që ne të ndihemi të plotë, është domosdoshmëri të zgjidhen të gjitha problemet shqiptare, përfshirë çështjen çame.

Kur ne hymë në zgjedhje me sloganin “E dua Shqipërinë të bashkuar”, ne ishim të kthjellët dhe qytetarët na besuan duke na bërë partinë e katërt parlamentare me 5 deputetë. Qytetarët e përqafuan politikën paqësore dhe bashkuese të PDIU-së; ata na besuan ne misionin e pulsimit të shpresës së tyre.

Dikush mund të pyesë se çfarë kemi bërë në 1 vit e gjysëm, mund të them se kemi ruajtur besimin e tyre, kurse partitë e tjera kanë konsumuar konfliktin dhe pamaturinë, pasi nuk bëjnë dot pa pushtet.

Kur të pashpresës vjellin veç vrer, qytetarët shohin veç terr ndaj në kësi kohërash nevojiten nxitësit e shpresës. Ne jemi dhe do të mbetemi parti e nxitësve të shpresës.

Jo më larg se dje, politika shqiptare desh e zhyti sërish vendin në konflikt, po falë Zotit, nuk pati dhunë. E djeshmja ishte një fitore e paqes, por e nesërmja është e pasigurt. A mund të qëndrojmë ne pasivë? Ne s’kemi qënë asnjëhërë pasivë. Ne po shohim sesi duhet t’i bashkojmë shqiptarët. Ne gjatë kësaj kohe kemo votuar ligje që i kemi quajtur të drejta, seç kemi kontestuar disa të tjerë. Ne kontribuam në reformën e re territoriale, sepse ashtu e gjykuam të drejtë,” – theksoi Idrizi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb