Kreu i PDK, Kadri Veseli ka marrë një vendim të ngjashëm me LVV për të mos qenë pjesë e delegacionit të Kosovës më 4 shtatorit në takimin e Uashingtonit për dialogun me Serbinë.

Veseli thotë se PDK si parti opozitare do luajë rolin e saj kushtetues në dialog, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

Në fakt, ai ndryshe nga LVV nuk është kundër këtij takimi dhe thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë takimin në SHBA por ndërkohë jep dhe mesazhin e prerë se PDK do të njohë vetëm një marrëveshje, atë për njohje të ndërsjellë dhe të ruajtjes së integritetit territorial dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

LETRA E KADRI VESELIT
I nderuari z. Hoti,

Po ju shkruaj në përgjigje të letrës suaj rreth pjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Uashington dhe 7 shtatorit në Bruksel.
Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.
Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Me respekt,
Kadri Veseli
Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb