Kosovarët e meritojnë të lëvizin të lirë në Evropë, ka qenë fjalia që më së shumti e kanë përdorur të martën europarlamentarët në raportin për Kosovën, të raportueses Viola Von Cramon.

Në fjalimin e saj Von Cramon ka lavdëruar Kosovën për solidaritetin e plotë me Ukrainën e për zhvillimin e demokracisë. Ajo ka thënë se “qytetarët e Kosovës e meritojnë të jetojnë në një shtet që gëzon respekt ndërkombëtar e perspektivë të qartë të integrimit evropian”.

“Qytetarët e Kosovës janë po ashtu të vetëdijshëm që Parlamenti Evropian, dhe unë personalisht, kemi theksuar në vazhdimësi nevojën e liberalizimit të menjëhershëm të vizave, që është tejzgjatur pavarësisht faktit që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka përsëritur qëndrimin se “pa një marrëveshje normalizimi të ligjërisht obligative mes Kosovës e Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodhë”.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të respektojë vendimin e Gjykatës së Kushtetutës për Manastirin e Deçanit. Ka shtuar se për sundim të ligjit kërkohet bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë e respektim i plotë i opinioneve të Komisionit të Venecias.

Më të ashpër kundër Bashkimit Evropian janë shprehur eurodeputetët tjerë.

Politikani austriak, Lukas Mandl, ka thënë se BE-ja dhe Amerika kanë ndihmuar në pavarësinë e Kosovës e se tashmë Kosova është bërë vend me demokraci stabile e se “prej Kosovës dhe popullit të saj mund të mësohet shumë”.

“Është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Izraeli. Por është shtet që nuk njihet nga një pakicë e BE-së. Ky shtet është i vetmi në Ballkan Perëndimor që s’ka viza. I janë bërë premtime, por s’i janë përmbushur. Kjo i ka ndodhur Kosovës. Njerëzit e Kosovës e duan pranimin në BE. Më shumë se shumë të tjerë. Mund të mësohet shumë nga Kosova dhe populli i saj. Ky duhet të jetë sinjal për Parlamentin sot”, ka thënë ai.

Edhe eurodeputeti tjetër austriak, Andreas Schieder, ka thënë se qytetarët e Kosovës nga BE-ja kanë marrë vetëm zhgënjim. Ai ka thënë se me qëndrimet e BE-së po shihet se “mungon politika e zgjerimit në Ballkan”.

Eurodeputeti bullgar, Ihan Kyuchyuk, ka thënë se Kosova është ndër shtetet më të dedikuara për integrim evropian. ai ka thënë se liberalizimin e meriton “gjenerata e re e Kosovës me aq shumë potencial”.

Pro liberalizimit të vizave dhe raportit u shprehën edhe eurodeputetët, Clara Ponsati Obiols nga Katalonja dhe Thijs Reuten nga Holanda. Reuten u shpreh se “zhgënjehet” nga shteti i tij për qëndrimet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa Obiols kritikoi Spanjën për mosnjohjen.

Jean-Lin Lacapelle ishte eurodeputeti i vetëm që kritikoi raportin. Eurodeputeti francez e cilësoi Kosovën si shtetin që ka pasur lidhjen më të madhe me xhihadistët e se raporti është “letër e ideologjisë që shpërfill pasojat që do të kishte pranimi i Kosovës në Evropë”. Është shprehur “i shokuar nga sjellja e Evropës”.

Komisionieri për Menaxhim krizash, Janez Lenarcic, ka thënë se Kosova ka bërë zgjedhjen e saj dhe se e ka konfirmuar përkushtimin proevropian. Ai ka lavdëruar përkushtimin pro Ukrainës, ndërsa ka lavdëruar edhe marrëveshjen e fundit për udhëzuesin mbi implementimin e marrëveshjeve të mëhershme të energjisë për veriun e Kosovës. Raporti do të votohet sot./Koha

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb