Eurodeputeti slloven dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vajgl deklaroi se dhënia fund krizës politike dhe dhunës në Maqedoni është kusht që vendi të marrë raport pozitiv.

Vajgl ka thënë për transmetuesin publik slloven, se pret që BE në ditët në vazhdim të konkretizojë ofertën që mund t’i japë Maqedonisë për stabilizimin e situatës në vend, por se qeveria në Shkup duhet në mënyrë konstruktive të zgjidhë krizën politike, pas incidentit të fundit në Kumanovë, dhe të dëshmojë gjithpërfshirjen e shqiptarëve të Maqedonisë, njofton agjencia kroate e lajmeve “Hina”, transmeton INA.

Ai theksoi se numri i viktimave në incidentin në Kumanovë do të mund të ishte më i vogël nëse autoritetet maqedonase do të ishin më të vëmendshme dhe të reagonin me kohë pas paralajmërimeve që i kishin marrë.

Vajgl është shprehur se incidenti në Kumanovë është vetëm “maja e ajsbergut” e shkaktuar nga kriza politike që po vazhdon për një kohë shumë të gjatë.

“Dhënia fund krizës politike dhe dhunës është kusht që BE të shfaqë një qëndrim pozitiv përballë Maqedonisë në të ardhmen, dhe e ardhmja është në Bashkimin Evropian”, tha Vajgl.

Ai paralajmëroi se në të kundërtën mbështetja e Brukselit për Maqedoninë do të mungojë, por edhe përkrahje e Parlamentit Evropian, i cili nëntë vite me radhë ka lëshuar raporte vjetore pozitive për përparimin e Maqedonisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: