SHKUP- Në Parlamentin Evropian sërish ka qenë pjesë e debatit kriza e thelluar politike në Maqedoni.

Në seancën ku është diskutuar për projekt – rezolutën për Maqedoninë për përparimin e vendit në planin e evrointegrimeve gjatë 2014, ka dominuar kriza aktuale politike në Maqedoni dhe thirrjet për tejkalimin e saj përmes një dialogu konstruktiv midis pozitës dhe opozitës.

Por nga ana tjetër, është kërkuar që Bashkimi Evropian duhet të pranojë se ka përgjegjësi për situatën aktuale. Kjo është nënvizuar nga evrodeputeti britanik dhe ish-raportuesi i PE-së për Maqedoninë, Richard Howitt.

Komisioneri për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin, Johanes Hahn theksoi për nevojën urgjente për një dialog politik konstruktiv dhe se u kërkua përgjegjësi edhe nga qeveria por edhe nga opozita që të përfshihen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura dhe të realizojnë reformat.

Në rezolutë kërkohet që Këshilli i BE-së të vendos për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, kontesti i emrit nuk duhet të pengojë hapjen e negociatave për anëtarësim dhe hapja e dialogut politik për zgjidhjen e krizës politike. Rezoluta bën thirrje edhe për realizimin e reformave në planin e evrointegrimeve, përmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe çështje tjera.

Kjo u nënvizua edhe nga disa evrodeputetë gjatë diskutimeve të tyre.

Projekt – Rezoluta e dorëzuar nga evrodeputeti slloven Ivo Vajgl, i cili është raportues i PE-së për Maqedoninë pritet të votohet nesër, ndërsa për plotësimin e saj janë propozuar edhe nëntë amendamente të reja. Raportuesi Vajgl kërkoi dje që në ndërmjetësimin e krizës në Maqedoni të përfshihet edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: