Parlamenti Europian ka miratuar këtë të enjte rezolutën për Shqipërinë, në të cilën thuhet se, në vend nevojiten më shumë përpjekje për realizimin e reformave.
Dokumenti vlerëson se, është e vërtetë se reformat kyçe politike dhe administrative, “aq të nevojshme në këtë vend”, janë duke bërë progres, por nga ana tjetër thekson se, këto procese ende nuk kanë arritur në fazën që do t’i hapnin rrugë nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Përmes kësaj rezolute, të hartuar nga raportuesi i Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein, eurodeputetët shprehen se Shqipëria ka shënuar progres por duhet të bëjë më shumë përpjekje sa i përket zbatimit të reformave.

“Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Vendi është duke përgatitur aktualisht një reformë gjyqësore tepër ambicioze, e cila do t’u japë përgjigje shqetësimeve më kyçe të përcjella nga qytetarët dhe do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit në jetën e përditshme. Qytetarët e Shqipërisë duan të bëhen gati për aderimin në bllokun europian. Tani, liderët e tyre politikë duhet ta kapin këtë moment e të vazhdojnë implementimin e reformave”, deklaroi eurodeputeti Knut Fleckenstein.

Në rezolutë thuhet se nëse Shqipëria dëshiron nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të intensifikojë reformat në lidhje me prioritet kyçe, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe për të drejtat themelore.

Sakaq, eurodeputetët vazhdojnë të mbeten të shqetësuar për korrupsionin në arsim, shëndetësi, gjyqësor e fusha të tjera.

Ndërkohë, autocensura e përhapur mes gazetarëve, përbën një tjetër shqetësim për eurodeputetët pasi ndodh që kërcënohen dhe sulmohen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: