“Reforma në drejtësi është kushti kryesor për hapjen e negociatave të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”-ka vlerësuar Parlamenti Evropian sa i përket raportit 2015 për Shqipërinë. Sapo të jetë miratuar kjo reformë, PE do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian që të verifikojë progresin edhe në fushat e tjera në mënyrë që të rekomandohet hapja e negociatave. Gjithashtu, Komisionit i kërkohet të krijojë edhe një strukturë monitorimi për të parë nga afër ecurinë e realizimit të reformave.

Parlamenti Evropian vë kryesisht theksin tek ndëshkueshmëria dhe procesi i dekriminalizmit. Në rast vonese të konsensusit kjo vendimmarrje do realizohet pas zgjedhjeve parlamentare duke e vënë si kusht mbarëvajtjen e tyre. Sakaq, Parlamenti Evropian bën thirrje që partitë politike të bëjnë përpjekje të mëtejshme për dialog konstruktiv, i cili do të çojë drejt zbatimit të reformave kyçe. PE përshëndet bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës për miratimin e ligjit në mënyrë anonime në parlament për përjashtimin e shkelësve të ligjit dhe mos caktimin e tyre në poste publike.

PE mirëpret angazhimin e Shqipërisë ndaj reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë dhe inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përgatitjet për këtë reformë të rëndësishme në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në sistemin e drejtësisë.

Lavdëron punën e Komisionit Ad Hoc për reformën gjyqësore në përgatitjen e reformës dhe vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin e Venecias. Sakaq, PE vazhdon të jetë e shqetësuar për korrupsionin në Shqipëri. Më 14 prill Parlamenti Evropian pritet të diskutojë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

(m.k/News24/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb