Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare kanë shprehur kundërshtimet e tyre në lidhje me projektligjin e ri të arsimit të lartë. Sipas koordinatorit të këtij forumi, pedagogut Mark Marku, diskutimet që janë bërë për hartimin e draftit të Arsimit të Lartë nuk janë pasqyruar në këtë projektligj. Ata kanë kërkuar më shumë kohë si dhe kërkesat e tyre të merren parasysh, në të kundërt do të përdorin edhe formën e fundit të demokracisë, që është greva. Veç asaj, pedagogët e kanë konsideruar fyes dhe të padobishëm faktin se Ministria e Arsimit u ka nisur projektligjin universiteteve dhe u ka lënë katër ditë kohë për të dhënë mendimin e tyre. “Fizikisht është e pamundur të jepet një mendim i qartë brenda katër ditëve, me këtë draft i cili mund të ketë pasoja edhe për një shekull nuk mund të jepet për debat 3-4 ditë”, – tha pedagogu, Marku. Ndër të tjera, Universiteti i Tiranës ka publikuar të gjitha oponencat e fakulteteve që janë pjesë e tij si dhe mendimi i Këshillit Studentor të UT në lidhje me draftin. Kundërshtimi kryesor që i bëjnë këshillat e fakulteteve dhe studentët është autonomia akademike dhe financiare. Sipas studentëve, ky draft jo vetëm u heq të drejtën e votës, por i ngarkon ata dhe familjet e tyre të mbulojnë kostot e studimeve, gjë kjo që në ligjin aktual është detyrim i shtetit. Sipas studentëve, shkelet e drejta e tyre kushtetuese për t’u arsimuar.

Forumi dhe kundërshtimet
Stafi akademik i Universitetit të Tiranës paralajmëron grevë, nëse projektligji i arsimit të lartë nuk do të ndryshojë. Në mënyrë unanime ata e kanë kundërshtuar draftin, pasi ai cenon lirinë akademike, rrit pushtetin e shtetit mbi universitetin dhe nga ana tjetër në formën e prezantuar deri tani, projektligji favorizon universitetet private. “Nëse vazhdon përpjekja për të cenuar liritë akademike dhe autonominë universitare, ne do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet demokratike që kemi në dispozicion, që na lejon Kushtetuta. Deri në grevë. Nuk e kemi profesion aktivitetin politik, pjesa më e madhe shumë më pak se unë, por ne do presim draftin, nuk shpresojmë, sepse mënyra si funksionon ministria, të ofron një kompromis dhe pastaj ndryshon gjithçka. Ministria duhet të sqarojë se në cilin projekt demokratik është mbështetur projektligji. Të shpjegojë pse gjithë puna dhe debati konstruktiv në të cilën u angazhuan universitetet publike dhe private gjatë diskutimit të draftit për reformën e arsimit të lartë gjashtë muaj më parë u hodh në kosh nga MAS”, tha koordinatori i këtij forumi, pedagogu Mark Marku. Ndërsa për pedagogun dhe sociologun Zyhdi Dervishi, ky ligj është bërë më shumë për privatët se sa për universitetet publike.

“Me keqardhje them që më shumë ligji sikur është bërë për arsimin universitar jopublik. Natyrisht, unë nuk jam kundër arsimit jopublik, por gjërat duhen ndarë qartë. Arsimi universitar publik është detyrim kombëtar”, u shpreh Zyhdi Dervishi. Po ashtu, pedagogë të tjerë u shprehën kundër heqjes së përfaqësimit të studentëve dhe veç asaj, krijimi i Bordit të Administrimit cenon autonominë dhe rrit kontrollin e ekzekutivit në drejtimin e universiteteve publike. Ndërsa pedagogia Dhurata Shehri, shefe e Departamentit të Letërsisë tha se pushteti kërkon të rritë kontrollin në universitet, ndërkohë që problemi është mungesa e cilësisë. “Problemi më i madh i arsimit është mungesa e cilësisë, atëherë japim zgjidhje për cilësinë. Aty nuk japin zgjidhje, po krijohen më shumë probleme se këto që kemi. Pushteti ka 25 vjet që nuk financon, atëherë e vetmja gjë që tenton është kontrolli. Kanë të drejtë të kontrollojnë ndërkohë që ende nuk e marrin parasysh që elitat shqiptare janë elita të krijuara vetë”, u shpreh pedagogia, Dhurata Shehri. Pjesëmarrës në aktivitetin e forumit ishin me dhjetëra pedagogë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës, të cilët e kanë cilësuar draftin si antiligjor. Sipas tyre, projektligji fut në universitete organe, të cilat cenojnë dhe menaxhojnë veprimtarinë e universiteteve pa marrë parasysh stafet akademike, por edhe vetë studentët. Pedagogët kanë kërkuar transparencë dhe takim për të diskutuar me ministren e Arsimit për draftin, ndërsa janë shprehur se nëse vërejtjet e tyre nuk merren parasysh, do t’i bëjnë kërkesë kryetarit të Kuvendit që të konsiderojë se kushtet kushtetuese që duhet për të përcjellë një draft janë shkelur që në zanafillë dhe të kërkojë realizimin e tyre.

Oponenca
Drafti ka dhjetëra nene që përmenden në oponencat e fakulteteve që copëzojnë veprimtarinë normale të një institucioni të arsimit të lartë dhe për procese të ndryshme vendosin afate të ndryshme. Sipas tyre, është e paqartë në tërësinë e ligjit se kur mbaron periudha transitore dhe kur nis veprimi i ligjit të ri, për të kuptuar qartë deri kur do zbatohet ligji i vitit 2007. Një prej kundërshtimeve është dhe neni 62, që ka të bëjë me kontratat e punës, pasi sipas tyre, në asnjë nen të draftit nuk përcaktohet se kontratat ekzistuese të punës nuk ndryshojnë. Problematika që kanë ngritur këshillat e fakulteteve dhe senati akademik i UT janë ato që lidhen me autonominë akademike dhe financiare, sipas tyre krijimi i bordit administrativ ul autonominë dhe rrit rolin e ekzekutivit në drejtimin e universiteteve publike. Po ashtu, krijimi i Qendrave të Shërbimeve Arsimore, QSHA cenon autonominë financiare të universiteteve, pasi ligji u jep të drejtën e mbledhjes së tarifës dhe administrimit të tyre. Senati akademik i UT, në datë 30 janar, ka marrë edhe një vendim në lidhje me kundërshtimet e këtij drafti, ku përmenden tri pikat më kryesore, se drafti shkel Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Bolonjës dhe cenon ekzistencën e universiteteve.

Këshilli studentor
Këshilli studentor i Universitetit të Tiranës në përmbledhjen e tij sqaron se ky draft nuk ka mbështetjen e këtij këshilli, pasi projektligji ul nivelin e përfaqësimit të studentëve dhe ka tendencën të ulë fuqinë e studentëve në përfaqësimin e tyre. Imponon qartazi që kostot t’ua kalojë studentëve dhe familjeve të atyre zgjedhin universitetet publike. Sipas oponencës së Këshillit Studentor të UT, projektligji i ri praktikisht shkarkon shtetin nga detyrimi për përballimin e kostove të studimeve të studentëve të publikut, duke ua kaluar këtë kosto vetë studentëve dhe familjeve të tyre dhe duke shkelur në këtë mënyrë me të dyja këmbët të drejtën themelore për arsim të lartë. Ky projektligj që në pikënisje të tij ka probleme, pasi përcaktohet roli i shtetit në arsimin e lartë dhe jo detyrimet e shtetit, siç është në ligjin aktual. Ky projektligj i ri për herë të parë koston ua ngarkon studentëve për përballimin e studimeve të larta, pasi shteti tërhiqet nga një detyrim që e përcakton Kushtetuta. Një kundërshtim i studentëve është edhe krijimi i Bordit Administrativ, pasi ul nivelin e përfaqësimit të universitetit dhe nuk parashikon përfaqësimin e studentëve. Veç asaj, ky draft u heq studentëve të drejtën e votës në për përzgjedhjen e drejtuesve të universitetit. Qeveria me këtë draft nuk i mbështet studentët dhe nëpërmjet tij kërkon të fuqinë e tyre organizative.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: